Gashi në Doha: Maqedonia e Veriut synon bashkëpunim të zgjeruar me Katarin





Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, sot mori pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së edicionit të 23-të të Forumit të Dohas, i cili u hap nën patronazhin e Emirit të Katarit, sheikut Tamim bin Hamad bin Thani. Drejtësia në vepër: më shumë se vetëm një premtim për përparim është tema e forumit të këtij viti. Forumi i Dohas përfaqëson një platformë globale për dialog, diplomaci dhe zgjidhje konkrete vepruese, e dedikuar për arritjen e një bote të drejtë, transparente dhe të qëndrueshme.

Në margjinat e Forumit, Kryetari Gashi zhvilloi një takim bilateral me sheiken Al Majasa bin Hamad bin Khalifa Al Thani, kryetare e muzeve dhe trashëgimisë kulturore të Katarit. Kryetari Gashi theksoi se e vlerëson lart vizionin e Katarit për zhvillimin dhe promovimin e kulturës, vlerave muzeale dhe trashëgimisë kulturore. Kjo mund të përbëjë një urë të fortë lidhëse mes popujve tanë, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është e pasur me trashëgimi kulturore dhe historike, dhe njëkohësisht është e hapur për bashkëpunim, shkëmbim të njohurive dhe qasje moderne në mbrojtjen, digjitalizimin dhe prezantimin e kulturës.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se avancimi i bashkëpunimit mund të vazhdojë në fushën e industrisë së filmit, duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut ka një skenë filmike dinamike dhe të njohur ndërkombëtarisht. Besohet se mund të hapen mundësi të rëndësishme bashkëpunimi me institucionet dhe festivalet e filmit në Katar — përmes produkcioneve të përbashkëta, festivaleve të filmit, shkëmbimit të profesionistëve dhe mbështetjes për regjisorët dhe producentët e rinj. Duke kombinuar potencialin krijues të të dy vendeve, mund të krijohen projekte që do të tërheqin vëmendje ndërkombëtare.