Amerikanët dhe ukrainasit, bisedime “konstruktive” në Florida

Washingtoni ruan optimizmin se plani Trump për paqen në Ukrainë do të vihet në zbatim, edhe pas takimit dyditor mes negociatorëve amerikanë, Witkoff dhe Kushner, në Florida me të dërguarit ukrainas.

Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga Departamenti amerikan i Shtetit, Stiv Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, i quajti “konstruktive” diskutimet me Rustem Umerovin, kryekëshilltarin ukrainas për sigurinë kombëtare, dhe shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së këtij vendi, Andrij Hnjatov.

Megjithatë, fundi i luftës varet nga gatishmëria e Rusisë për të hedhur hapa drejt çtensionimit dhe ndalimit të vrasjeve – theksohet më tej në deklaratë.

Takimi i së martës mes delegacionit amerikan dhe atij rus në Moskë, ku i pranishëm ishte edhe Vladimir Putin, u mbyll pa përparime.

Ukrainasit kërkojnë që paqja të arrihet duke ruajtur integritetin territorial, siç thuhet edhe në deklaratën e përbashkët, ndërsa rusët nuk heqin dorë nga kushti që Kievi të bëjë lëshime territoriale.

Më herët gjatë kësaj jave, Vladimir Putin paralajmëroi se, nëse ushtria ukrainase nuk tërhiqet, rusët do t’i pushtojnë edhe ato pjesë të mbetura të rajoneve të aneksuara ku ende ata nuk kanë hyrë.