Paramilitarët godasin me dron një çerdhe në Sudan – vriten të paktën 50 persona, përfshirë 33 fëmijë





Të paktën 50 persona, përfshirë 33 fëmijë, kanë humbur jetën në një sulm të forcave paramilitare sudaneze ndaj një kopshti në Sudan, njoftuan mjekët.

Ky ishte “sulmi i dytë i papritur” me dron në qytetin Kalogi, në shtetin Kordofan i Jugut, thuhet në një njoftim të publikuar vonë mbrëmë.

Dyshohet se numri i viktimave mund të jetë më i madh, por ndërprerja e komunikimeve në atë zonë e vështirëson raportimin.

Të enjten kishte ndodhur një sulm paraprak gjatë përleshjeve midis grupit paramilitar Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dhe ushtrisë sudaneze, të cilat janë në luftë prej më shumë se dy vjetësh.

Përleshjet kohët e fundit janë përqendruar në shtetet e pasura me naftë të Kordofanit, raporton yahoonews.

Ndryshe, Sudani po përballet kryesisht me luftë midis Ushtrisë Sudaneze (SAF) dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), një forcë paramilitare rivale.

Në disa zona, marrin pjesë edhe grupe të tjera si SPLM‑N, duke krijuar frontet e shpërndara dhe konflikte lokale.