Lirohet nga burgu Goran Angellov- Qoseto, i dënuar për dhunën e përgjakshme në Kuvend në 27 prillin e vitit 2017. Lirimi i tij vjen ende pa e përfunduar dënimin me burg prej 11 vitesh. Qoseto është i dënuari i parë për 27 prillin që lihet i lirë me kusht, pas 8 viteve nga gjithsej 11 vite burg. Goran Angellov Qoseto lirinë e fitoi nga Këshilli Penal i Gjykatës Penale për shkak të problemeve shëndetësore. Për këtë arsye deri tani disa herë kishte kërkuar ndërprerje të vuajtjes së dënimit me burg.
Për heqjen e prangave njoftoi vetë Goran Angellov- Qoseto përmes një video të bërë me Inteligjencë Artificiale.
Ndërkohë liri kanë kërkuar edhe të dënuar të tjerë për 27 prillin, por për ta ende nuk ka një vendim nga Këshilli Penal. Për dhunën e përgjakshme në Kuvend, 16 persona u dënuan me burg nga 7 deri në 16 vjet për cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë. Në prill të vitit 2017 ata përgatitën dhe realizuan plan me qëllim që të pamundësojnë dorëzim-pranimin e qetë të pushtetit. Organizuan protesta masive, të cilat kulmuan me hyrjen e dhunshme në Kuvend dhe sulmin brutal ndaj zyrtarëve. Fillimisht procesi nisi kundër gjithsej 33 personave, prej të cilëve 31 persona për cenim terrorist të rendit kushtetues dhe dy persona për nxitje. Por, pas miratimit të Ligjit për Amnisti 15 persona u amnistuan./Alsat.mk