Bravo kryeministër!

Rami Mislimi

Të gjithë e kemi ditur se sa fuqi politike ka VLEN-i në këtë pushtet. Fitorja e tyre, ashtu siç e ka thënë edhe Menduh Thaçi, brenda 24 orëve i faturohet VMRO-së dhe Mickoskit. Sot po shohim qartë se në shumicën e komunave ku kryetarët janë zgjedhur me votat e VMRO-së, influenca e kryeministrit është dominuese dhe e fuqishme.

Kur e dimë se Struga, Tetova, Çairi, Saraji dhe shumë komuna të tjera janë fituar falë votave të VMRO-së, nuk ka arsye të çuditemi që këta kryetarë, për një gabim, dalin dhe i kërkojnë falje kryeministrit Hristijan Mickoskit.

Kjo është logjike e pritshme dhe e domosdoshme!

Kryeministri Mickoski për mua po tregohet i butë me ta. Ai duhet ti shtype shumë më shumë, sa që një ditë këta do të thonë “s’jemi shqiptarë”, jo pse ua kërkon ai, por sepse këta vetë duan të sillen ndaj tij ashtu.

Kryeministri Mickoski nuk i ka detyruar, nuk u ka kërkuar asgjë të jashtëzakonshme, vetëm u ka thënë punoni për popullin dhe mos u shisni patriotë, sepse nuk jeni.

Pas Bilall Kasamit, që kërkoi falje para zgjedhjeve, tani kemi Mendi Qyrën që kërkon falje pas zgjedhjeve. Dhe nuk do të jetë i fundit. Ky trend pritet të vazhdojë në të gjitha komunat që kanë kërkuar ndihmën e VMRO-së për të fituar.

Në këtë rast, kryeministri po tregohet vërtet konstruktiv: Është i vetmi kryemininstër që ka investuar më shumë në komunat shqiptare dhe përpiqet të jetë kryeministër i të gjithëve njësoj.
Problemi qëndron te kryetarët e VLEN-it që nuk punojnë për popullin, por kush më shumë do të duket “patriot”.

Patrioti “më i madh”, ishte Bilall Kasami, ditën me Lul Jasharin, ndërsa natën përkulej para Mickoskit.

Tani doli patrioti i dytë pas tij. Mendi Qyra, i cili më 28 Nëntor u tregua “si Ismail Qemali”, por sot, u bë ma i madh se Isa Boletini dhe e bani si “burrat”, i kërkoi falje Mickoskit.
Dhe derisa VLEN-i të jetë pjesë e qeverisë, patriotizmi shqiptar do të jetë “në nivele të larta”: shqiptarët ditën do të duken krenarë, e natën do të turpërohen që janë shqiptarë.

Unë e përgëzoj publikisht kryeministrin, i cili investon në komunat shqiptare dhe njëkohësisht i demaskon patriotët e rremë të VLEN-it.