Çeçenët gati për luftë në Europë, Kadyrov: Presim vetëm urdhrin e Putinit!

Lideri çeçen, Ramzan Kadyrov, ka shprehur hapur mbështetjen e tij për deklaratat e Presidentit rus, Vladimir Putin, lidhur me gatishmërinë e Rusisë për të hyrë në luftë me Evropën, nëse kjo e fundit do të niste një konflikt.

Kadyrov theksoi se ushtria çeçene ka nevojë vetëm për një urdhër nga Moska për t’u përfshirë menjëherë në një përballje të tillë, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS. “Ne, sigurisht, nuk do të hezitojmë, Vladimir Vladimirovich, ne po presim urdhrin.

Gjithçka do të përfundojë shumë shpejt dhe padyshim jo në favor të atyre që vendosën të fillojnë një luftë me Rusinë. Kam vetëm një pyetje, Vladimir Vladimirovich: nëse fillon lufta, a nuk do të ofendohesh nëse ata menjëherë fillojnë të kërkojnë falje vullnetarisht?”, shkroi Kadyrov në kanalin e tij në Telegram.

Deklaratat e tij vijnë pas fjalimit të Putinit në Forumin e Investimeve në Moskë, ku shefi i Kremlinit deklaroi se Rusia “nuk po përgatitet të shkojë në luftë me Europën”, por se është “plotësisht e gatshme” të reagojë menjëherë nëse vendet europiane nisin një konflikt. Putin paralajmëroi se Europa duhet të “jetë e vetëdijshme për pasojat”, ndërsa përsëriti narrativën e tij se “Perëndimi vazhdon të kërcënojë Rusinë”.

Pas këtyre deklaratave, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte reagoi duke theksuar se aleanca është e përgatitur dhe plotësisht e gatshme të mbrojë çdo vend anëtar. Ai nënvizoi se NATO nuk do të tolerojë asnjë sulm ndaj territorit të saj dhe e bëri të qartë se siguria kolektive mbetet e paprekshme.