Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë duke kërkuar që Rusia të sigurojë “kthimin e menjëhershëm, të sigurt dhe pa kushte të të gjithë fëmijëve ukrainas të transferuar ose deportuar me forcë” gjatë luftës në Ukrainë dhe duke i bërë thirrje Moskës të ndalojë këtë praktikë.
Rezoluta u miratua nga 91 shtete anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara, me 57 abstenime, ndërsa Rusia dhe 11 vende të tjera votuan kundër saj, raportoi Reuters.
Rusia ka bërë thirrje që rezoluta, e hartuar nga Ukraina, Kanadaja dhe Bashkimi Evropian, të mos miratohet.
“Çdo votë për rezolutën është mbështetje për gënjeshtrat, luftën dhe konfrontimin. Çdo votë kundër është një votë për paqen”, tha zëvendësambasadorja e Rusisë në OKB, Maria Zabolotskaya, para Asamblesë së Përgjithshme para votimit.
Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme nuk janë detyruese. Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, tha në tetor se ishte në “komunikim të hapur” me Presidentin rus Vladimir Putin dhe se disa fëmijë ishin kthyer në familjet e tyre dhe se së shpejti do të ktheheshin edhe më shumë.
Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi një urdhër arresti për Putinin në mars të vitit 2023, duke e akuzuar atë për krime lufte për deportimin e paligjshëm të qindra fëmijëve nga Ukraina, një veprim që Rusia e ka hedhur poshtë si “skandaloz dhe të papranueshëm”. Ukraina akuzon Rusinë për rrëmbimin e dhjetëra mijëra fëmijëve dhe transferimin e tyre në Rusi ose në territorin e pushtuar nga Rusia pa pëlqimin e familjeve ose kujdestarëve të tyre.
Moska më parë tha se ushtria ruse po “mbronte fëmijët e cenueshëm nga zonat e luftës”.