Hong-Kong: Furnizimet nga qeveria qendrore ndihmojnë në trajtimin e pasojave të zjarrit

Më 4 dhjetor, Sekretari i Sigurisë i Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut të Kinës, Chris Tang, bëri të ditur se rajoni ka marrë në vazhdimësi furnizime nga qeveria qendrore e vendit për operacionet e kërkim-shpëtimit, pas zjarrit masiv të rënë të mërkurën e kaluar.

Mes furnizimeve ka patur dronë ndriçues, dronë zbulues, ekzoskeletë dhe çizme kundër zjarrit, të cilat kanë ndihmuar në mënyrë efektive Departamentin e Shërbimeve të Zjarrfikësve të Hong-Kongut, në identifikimin e vendngjarjes së zjarrit, si dhe trajtimin e emergjencave. Sipas tij, këto furnizime po ofrojnë mbështetje thelbësore për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Siç mësohet, në reagim të kërkesave të qeverisë së rajonit të Hong-Kongut, kontingjenti i ri i furnizimeve të ndihmës nga qeveria qendrore e Kinës, duke përfshirë syze mbrojtëse, doreza kundër ujit etj., mbërriti të mërkurën dhe u fut direkt në përdorim.

Pas flakëve katastrofike të 26 nëntorit, Qeveria Qendrore e Kinës u kërkoi autoriteteve të provincës Guangdong, e cila kufizohet me Hong-Kongun, të ofrojë materiale shpëtimi dhe medikamente urgjente, të cilat mbërritën më 27 dhe 28 nëntor.

“Këto pajisje kanë ndihmuar në mënyrë efektive Departamentin e Shërbimeve të Zjarrfikësve, të forcojnë punën zbuluese në vendngjarje dhe trajtimin e emergjencave”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Administratës së rajonit të Hong-Kongut, duke shprehur mirënjohje për zjarrëfikësit nga provinca Guangdong dhe qyteti fqinj Shenzhen.

Ndërkohë, pas dorëzimit të grupit të parë të furnizimeve të emergjencës, Ministria e Menaxhimit të Emergjencave e Kinës u koordinua me Administratën Kombëtare të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, si dhe fondacionet e bamirësisë, për t’i ofruar Hong-Kongut një grup të ri ndihmash, duke përfshirë stacione të lëvizshme karikimi, ventilatorë, respiratorë, syze dhe veshje mbrojtëse, llamba koke dhe çizme kundër ujit, të cilat u janë dorëzuar me shpejtësi personelit të kërkim-shpëtimit në vend.