Italia jugore po përballet me mot të keq, çka ka sjellë edhe mbylljen e shkollave dhe ndërprerje të konsiderueshme të qarkullimit. Mediat italiane bëjnë të ditur se në rajonin e Basilicatës, ku alarmi për mot të keq është në nivelin portokalli, katër bashkitë e zonës së Materës, Montalbano Jonico, Pisticci, Policoro dhe Tursi, kanë urdhëruar mbylljen e institucioneve arsimore për shkak të reshjeve të dendura dhe përmbytjeve në disa nënkalime, sidomos në zonën fushore të Metapontinos.
Situata është e ngjashme edhe në Puglia dhe Kalabri, ku paralajmërimi për mot të keq mbetet portokalli. Në Taranto, shkollat janë mbyllur me urdhër të kryebashkiakut Pietro Bitetti, ndërsa ekipet e emergjencës kanë punuar gjatë gjithë natës për të përballuar dëmet e shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme dhe erërat e forta. Zjarrfikësit e Leçes kanë kryer dhjetëra operacione shpëtimi dhe pastrimi, pasi stuhia ka shkaktuar rrëzim pemësh, shembje shtyllash telefonike, dëmtime të linjave të energjisë, bllokime trafiku dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Bari, autoritetet vendore kanë urdhëruar mbylljen e varrezave të qytetit, si dhe të parqeve dhe kopshtet publike, për të shmangur rrezikun nga era e fortë dhe reshjet e dendura. Autoritetet rajonale u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet e emergjencës, ndërsa moti pritet të mbetet i paqëndrueshëm edhe në orët në vijim.