Vajza e dyshuar e Putin “sulmohet” nga gazetari ukrainas në Paris (VIDEO)

Elizaveta Krivonogi, që besohet të jetë vajza e presidentit rus Vladimir Putin, u “sulmua” dhe u vu nën presion nga një gazetar ukrainas në Paris, ku ajo jeton.

Fillimisht ai i tha 22-vjeçares:

“Tre javë më parë babai yt vrau vëllain tim. Si jeton në Evropë, në këtë kontinent të mallkuar, GayEurope, siç e quan ti”, të cilës ajo iu përgjigj: “Nuk ke leje të më sulmosh”.

Kur gazetari nga Ukraina vazhdoi ta ushtronte presion, duke e pyetur nëse e mbështeste të atin, 22-vjeçarja u përgjigj: “Çfarë lidhje ka kjo me mua?”

“Ai është babai yt. Më e pakta që mund të bësh është ta telefonosh dhe t’i thuash të ndalojë bombardimin e Kievit. Mund të vish në Kiev dhe të veprosh si mburojë njerëzore, më mirë se Patriotët. Mund të shkosh në Pokrofsk, për shembull”, këmbënguli gazetari nga Ukraina.

“Si e imagjinon që mund të shkoj tani?”, pyeti Elizaveta, të cilës ai iu përgjigj: “Sigurisht që mundesh. Nuk shoh ndonjë pengesë, do të të blej unë një biletë me paratë e mia”.

“Për fat të keq, nuk mund të ndihmoj”, u përgjigj në fund gruaja e re ruse.

Artistja 22-vjeçare lindi në vitin 2003 pas një afere të dyshuar midis Putinit dhe nënës së saj, Svetlanës, e cila ishte kujdestarja e shtëpisë së presidentit rus në atë kohë.

Zbulimi erdhi për herë të parë pas një hetimi të vitit 2020 nga media ruse Proekt, e cila vuri në dukje “ngjashmërinë fenomenale” të saj me Putinin.

Presidenti rus nuk përmendet në certifikatën e lindjes së Ekaterinës, e cila shkruan “Vladimirova”, që përkthehet “vajza e Vladimirit”.

Në vitin 2021, udhëheqësi i vrarë i opozitës ruse, Alexei Navalny, zbuloi Instagramin e 22-vjeçares, i cili, sipas tij, përshkruante jetën e saj luksoze dhe pasurinë e familjes së saj, të cilën shumë e atribuojnë marrëdhënies së saj me presidentin rus.