Familja e Shpat Kasapit falënderon publikisht Igli Taren për ndihmën në kthimin e trupit të të ndjerit në Tetovë

Familja e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi ka njoftuar për Sportmania se ka qenë Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, personi kyç që bëri të mundur kthimin brenda pak ditëve të trupit të Shpatit në Maqedoninë e Veriut.

Tare ka ndërhyrë personalisht për të përshpejtuar procedurat e ndërlikuara që lidhen me raste të tilla në Itali.

Shpati ndërroi jetë në Bergamo natën kur kishte mbërritur në Itali, ndërsa më pas trupi i tij u transferua në një spital të Milanos për analiza, obduksion dhe procedura të tjera ligjore, të cilat zakonisht marrin shumë kohë. Në rrethana normale, kthimi i trupit do të zgjaste ndjeshëm më gjatë, por falë ndërhyrjes së Igli Tares, procesi u përmbyll brenda vetëm katër ditëve, duke mundësuar që i ndjeri të prehej në Tetovë të dielën e 30 nëntorit.

Vëllai i Shpatit, Albin Kasapi, shprehu mirënjohjen e familjes përmes një deklarate për Sportmania:

“Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për familjen tonë. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë. Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombasin tonë që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye në kohë rekord në vendin tonë. Na është gjendur jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje,” tha Albin Kasapi për Sportmania.

Familja ka thënë se ndihma e Igli Tares ka qenë vendimtare në këto ditë të vështira, duke lehtësuar një pjesë të barrës emocionale dhe procedurale që përjetuan pas humbjes së madhe.

Shpat Kasapi ndërroi jetë mbrëmjen e të martës (25 nëntor) pas një arresti kardiak në Bergamo të Italisë.