Kongresi i SHBA: Në rast lufte, Shqipëria shënjestër në Ballkan, Trump të angazhohet..

Administratës Trump po i kërkohet të shtojë angazhimin e saj në Ballkanin Perëndimor, thirrje kjo që erdhi nga pjesëmarrësit e diskutimeve në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të cilët konsiderojnë se kjo lëvizje do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit ku sipas tyre, Rusia përmes Serbisë është faktor themelor paqëndrueshmërie.

Në çelje të seancës dëgjimore, kryetari republikan i Nënkomitetit për Europën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Europë”.

Marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka i mundëson Rusisë ta minojë akoma edhe me tej Bashkimin Europian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit, deklaroi ai. Në rast konflikti, aleatët e NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – do të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, nënvizoi Self, duke shtuar se një gjë e tillë mund të çojë në aktivizimin potencial të nenit 5 të Aleancës.

Aleatët e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku pengesë politike dhe ushtarake, por Kosova insistoi ai, do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e aleancës ushtarake.

Kundërshtarët e SHBA-së po i shfrytëzojnë aktivisht dobësitë për të zhvilluar luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë në rajon, vazhdoi të argumentonte republikani, duke nënvizuar se Kina po e përdor ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi.