Vazhdon seanca gjyqësore për zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan

Sot në gjykatën në Idrizovë vazhdon gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa mbi 200 u plagosën. Seanca e sotme pritet të vazhdojë me deklarimin për fajësinë dhe me fjalët hyrëse të mbrojtjes.

Në seancën e kaluar, Gjykata i pranoi ankesat e disa avokatëve mbrojtës se aktakuza së bashku me listën e provave nuk u ishte dorëzuar të akuzuarve. Gjykata informoi se dokumentet do t’u dorëzohen dhe seanca e radhës u shty që mbrojtja të ketë kohë të njihet me materialet.

Për të shmangur zvarritjen e procesit, Gjykata vendosi që shqyrtimi kryesor të vazhdojë me deklarimet e të dëmtuarve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë lidhur me kërkesat dëmshpërblyese dhe ndjekjen penale. Përfaqësuesit ligjorë të të dëmtuarve deklaruan se i bashkohen ndjekjes penale dhe se të drejtat e tyre do t’i kërkojnë në procedurë civile.

Gjykimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Krahas të akuzuarve, në sallë janë prezent familjarë të viktimave, përfaqësues të Prokurorisë dhe mbrojtjes, si dhe gazetarë vendas e të huaj.

Gjykimin e udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, ndërsa Prokuroria përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Në seancën e parë, prokurori Borçe Janev theksoi se po kërkohet përgjegjësi me emër dhe mbiemër, duke shtuar se shoqëria duhet të përballet me të vërtetën e dhimbshme dhe të japë përgjigje të qarta se kush lejoi, kush heshti dhe kush nuk e ndaloi këtë tragjedi. Ai tha se drejtësia kërkohet jo si hakmarrje, por si pasojë e shkeljes së ligjit.
“E rëndësishme nuk është vetëm kush e ndezi zjarrin, por kush e kishte kovën me ujë dhe nuk e përdori”, tha Janev, duke theksuar se katastrofa nuk ishte rezultat vetëm i piroteknikës, por i viteve të tëra të heshtjes institucionale, neglizhencës dhe mungesës së kontrollit që e kishin kthyer klubin në një ‘kurth vdekjeje’.”

Prokurori shtoi se provat do të tregojnë se klubi “Puls” ka qenë një kurth vdekjeje që në fillim.

Sipas Prokurorisë, tragjedia e 16 marsit 2025 është rezultat i neglizhencës sistematike dhe shpërfilljes së rreziqeve të sigurisë: diskoteka funksiononte pa sistem kundër zjarrit, me dritare të mbyllura, me materiale lehtësisht të djegshme dhe toksike dhe vetëm një dalje emergjence, ndërsa atë natë ishte lejuar hyrja e pakontrolluar e mbi 600 personave, mes tyre edhe të mitur pas mesnate, pa kontrolle për mjete të rrezikshme. Performanca e grupit “DNK” ishte e paraparë me përdorimin e piroteknikës, ndërsa materialet e brendshme – sidomos sfungjeri në tavan – gjatë djegies lëshuan gaze vdekjeprurëse, gjë që në mungesë të daljeve të mjaftueshme solli humbjen e jetëve të reja dhe pasoja katastrofale.

Tetë muaj pas tragjedisë, në bankën e të akuzuarve u ulën 37 persona, prej tyre 34 persona fizikë dhe 3 juridikë. Në mesin e të akuzuarve ka pronarë lokalësh, menaxherë, inspektorë, ish-kryetarë komunash, pjesëtarë të sigurimit dhe zyrtarë shtetërorë.

Të akuzuarit janë: Dejan Jovanov, Mitko Stojanov, Mihail Jovanov, Grozdan Milkovski, Milka Edrovska, Todor Jovanov, Ognjan Georgiev, Ljupço Stamenkov, Nikolço Gocev, Ratko Dimitrovski, Nikolço Iliev, Ljupço Papazov, Jane Jançeski, Lazar Zahariev, Ivica Grozdanov, Martin Gorgiev, Stojanço Dimitrijev, Shaban Saliu, Adnan Xhaferoski, Bekim Maksuti, Xhevat Selami, Ljupço Grnçishtanov, Valon Saraçini, Kreshnik Bekteshi, Xhevair Kamberi, Shovket Hazari, Zoran Nikolovski, Bekim Haxhiu, Arlinda Kasapi, Mile Ampov, Blashka Eftimova, Vesna Kuzmanovska, Emil Mitev, Razmena Çekiç-Duroviq, “MMMM KAFE” DOOEL Koçani, Rubikon Security Solutions dhe Venci Projekt DOOEL Koçani.

Më 16 mars 2025, gjatë performancës së grupit “DNK” në diskotekën “Puls” në Koçan, shpërtheu zjarri ku humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën. Në objekt ndodheshin më shumë persona se sa lejohej, mes tyre edhe të mitur, ndërsa piroteknika u përdor pa leje. Objekti punonte ilegalisht për më shumë se një dekadë, pa kushte teknike minimale, me ndërtime pa leje dhe pa sistem të mbrojtjes nga zjarri.