Kancelari gjerman Friedrich Merz tha sot se nuk mund të ketë “paqe të diktuar” në Ukrainë dhe se është në interesin e Gjermanisë të ketë marrëdhënie të ngushta dhe “të barabarta” politike me Poloninë në një kohë kur ata përballen me “kërcënimin nga regjimi revizionist i Rusisë”.
“Sidomos në këto kohë, kur uniteti evropian është nën një presion të tillë, nuk duhet të lejojmë veten të përçahemi”, tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit me kryeministrin polak Donald Tusk në Berlin, raporton The Guardian.
Merz bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke përfshirë mbrojtjen e krahut lindor të NATO-s me avionë luftarakë gjermanë me bazë në Poloni dhe bashkëpunimin në fushën e dronëve.
Ai vlerësoi se është e nevojshme të modernizohen lidhjet hekurudhore ndërkufitare të të dy vendeve dhe të forcohen nismat e tjera të transportit.
Ai deklaroi se nevojitet një koordinim më i ngushtë kur bëhet fjalë për negociatat e paqes për Ukrainën.