Mamaja e Elon Musk pozon për Fadil Berishën mes veprave të artistes shqiptare që pikturon vetëm me duar
Artistja e re shqiptare Adela Osmani, e cila pikturon vetëm me duar ka përjetuar një moment të rrallë në New York, ku pikturat e saj u bënë pjesë e një set-i fotografik me ikonën botërore Maye Musk supermodele, autore dhe simbol i reziliencës moderne. Adela e dinte që arti i saj do të shoqëronte këtë set të rëndësishëm, dhe vetëm kjo e mbushi me emocion të skajshëm dhe nderim të veçantë.
Por surpriza më e madhe ndodhi kur ajo zbuloi se fotografitë do të realizoheshin në studion e Fadil Berishës, një prej figurave më të shquara të artit dhe ambasador i kulturës shqiptare në botë. Takimi mes tyre i dha momentit një dimension edhe më të thellë.
Adela ka një stil saj të pikturimit vetëm me duar, një proces që lind nga seancat e shërimit ku emocionet dhe ngjyrat marrin formë instinktive.
Në atë studio, u bashkuan tre botë: arti shërues i Adelës, eleganca dhe mençuria e Maye Musk, dhe drita e Berishës duke krijuar një moment të paharrueshëm për artin shqiptar ndërkombëtarisht.
Maye Musk është një nga gratë më frymëzuese të kohëve moderne: supermodele me një karrierë mbi 50-vjeçare, autore e bestsellerit për vetëbesimin, nutricioniste, figurë e modës ndërkombëtare dhe nënë e Elon Musk. Ajo mishëron mençuri, elegancë dhe fuqinë e ringritjes, duke u kthyer në simbol të një feminiteti të pjekur, të lumtur dhe të guximshëm.


