Regjisori fitues i Oscar-it: Ukrainasit do të luftojnë deri në fund për Donbasin





Regjisori ukrainas i shpërblyer me Oscar, Mstyslav Chernov, ka deklaruar se populli ukrainas është i vendosur të “luftojë deri në fund” për të mos lejuar që territoret e Donbasit të bien nën kontrollin rus.

Reagimi i tij vjen pas planit 28-pikësh të Donald Trump, i cili parashikon tërheqjen e forcave ukrainase nga disa zona të rajonit të Donjeckut që aktualisht kontrollohen nga Kievi territore që, sipas planit, do të njiheshin ndërkombëtarisht si pjesë e Rusisë.

Në një intervistë për podcast-in Global Story të BBC-së, Chernov thekson se një vendim i tillë nuk mund të merret pa pyetur popullin ukrainas: “Duhet të pyesim ukrainasit se çfarë mendojnë për këtë.”

Ai i quan zonat që po diskutohen në negociatat e mundshme të paqes “vendet e fëmijërisë” së tij. Sipas tij, edhe pse mund të kërkohet ndonjë kompromis për të shpëtuar jetë, një lëvizje e tillë do të sillte “hidhërim të madh”.

“Është e djegur dhe është shtëpia ime,” shprehet Chernov, duke shtuar se Ukraina nuk është vetëm territor: “Ukraina është një komunitet, ose një bashkësi komunitetesh. Për sa kohë që kjo ide mbijeton, Ukraina do të mbijetojë.”

Mstyslav Chernov fitoi çmimin Oscar në vitin 2024 për dokumentarin 20 Days in Mariupol, i cili dokumentoi rrethimin rus të qytetit në ditët e para të pushtimit.