Kina dhe Zelanda e Re kanë identifikuar mundësi dhe rrugë të shumta për të thelluar e zhvilluar më tej bashkëpunimin në mes tyre . Kjo u konfirmua edhe një herë gjatë vizitës dhe takimeve që pati në Zelandën e Re, ligjëvënësi më i lartë i Kinës, Zhao Leji, me ftesë të kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të Zelandës së Re, Gerry Brownlee.
Zhao, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore, u takua me kryeministrin e Zelandës së Re Christopher Luxon në Okland dhe zhvilloi bisedime me Brownlee në Uellington.
Gjatë takimit me Luxon-in, Zhao tha se bashkëpunimi midis dy vendeve në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të frytshme dhe dekada e dytë e partneritetit të tyre të gjithanshëm strategjik ka pasur një fillim të mbarë .
Ai shprehu shpresën që Kina dhe Zelanda e Re do të thellojnë bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë, do të nxisin shkëmbimet njerëzore dhe kulturore, do të forcojnë bashkëpunimin shumëpalësh dhe do të promovojnë së bashku liberalizimin e tregtisë dhe të investimeve, si edhe integrimin ekonomik rajonal.
Ndërsa Luxon-i theksoi që Zelanda e Re është e gatshme të forcojë dialogun e shkëmbimet dhe të zhvillojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të shumta, si ekonomia e tregtia, arsimi, kultura, turizmi, mbrojtja e mjedisit dhe bujqësia, për t’u sjellë më shumë përfitime popujve të të dy vendeve, tha ai.
Ndërsa gjatë takimit me Brownlee-n, Zhao vuri në duke që Kina është e gatshme të punojë me Zelandën e Re për të forcuar shkëmbimet e ndërveprimet shumënivelëshe midis organeve legjislative dhe për të forcuar komunikimin e bashkëpunimin në platformat shumëpalëshe, për të nxitur një zhvillim më të drejtë e më të arsyeshëm të qeverisjes globale.
Nga ana e tij, Brownlee tha se Parlamenti i Zelandës së Re është i gatshëm të forcojë shkëmbimet miqësore me Asamblenë Kombëtare Popullore të Kinës dhe të luajë një rol aktiv në promovimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Gjatë vizitës së tij në Zelandën e Re, Zhao Leji mori pjesë në ceremoninë e hapjes së një muzeu përkujtimor në Christchurch në nder të Rewi Alley, një neozelandez i përkushtuar që ndihmoi në krijimin e marrëdhënieve miqësore midis Kinës dhe Zelandës së Re.