Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka publikuar sot një reagim të fuqishëm në mbrojtje të luftëtarëve të UÇK-së, duke akuzuar qeverinë për harresë të qëllimshme dhe përpjekje për t’i zbehur meritat e tyre në shërbim të atdheut.
Në mesazhin e tij, Haradinaj thotë se çdo ditë që kalon, qeveria po i largon luftëtarët nga kujtesa publike, ndërsa propaganda po synon t’i shtyjë drejt harresës kolektive. Ai thekson se fillimisht ata u injoruan, më pas u ofenduan, madje edhe për veshjen e tyre, sa herë marshonin në përvjetore e tubime përkujtimore.
Kreu i kësaj partie akuzon pushtetin për orkestrim dokumentesh e procesesh gjyqësore që, sipas tij, kanë synim të qartë: dobësimin e figurës së luftëtarit. Por ai shton se përtej çdo goditjeje politike, struktura shpirtërore dhe mendore e luftëtarit mbetet e paprekshme.
“Luftëtarët jetojnë gjithmonë me qëllime të qarta. Ata nuk kanë frikë nga stuhitë, sepse stuhitë e kanë frikë vendosmërinë e tyre”, shkruan ai, duke i cilësuar plagët e tyre si medalje dhe heshtjen si urdhër.
Haradinaj i konsideron luftëtarët si njerëzit që kanë parë nga afër vijën e hollë mes jetës dhe vdekjes, të cilët tashmë po shuhen natyrshëm, krenarë dhe stoikë, me një peng të vetëm, që nuk e patën fatin e dëshmorëve.
Ai apelon se të mbeturit gjallë do të vazhdojnë të qëndrojnë bashkë, më të fortë se propaganda që synon t’i zbehë.
“Lumët ju, si thotë populli, për kontributin, sakrificën dhe shembullin. Mjerë ata që do të humbin gjithmonë me turp”, përfundon Haradinaj, duke dhënë nderime për atdheun.