Izraeli ka shkelur armëpushimin të ndërmjetësuar nga SHBA-të në Gaza të paktën 497 herë gjatë 44 ditëve të fundit, duke shkaktuar vdekjen e qindra palestinezëve që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes më 10 tetor, njofton Zyra e Mediave e Qeverisë së Gazës.
Sipas zyrës, 342 civilë janë vrarë në sulmet izraelite, me fëmijë, gra dhe të moshuar që përbëjnë shumicën e viktimave.
“Ne dënojmë me forcë shkeljet e vazhdueshme, serioze dhe sistematike të marrëveshjes së armëpushimit nga autoritetet izraelite të okupimit”, thuhet në deklaratë të shtunën.
Sipas zyrës, këto shkelje përbëjnë një thyerje flagrante të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe protokollit humanitar të bashkëngjitur marrëveshjes. Nga këto shkelje, 27 ndodhën vetëm të shtunën, duke rezultuar në 24 viktima dhe 87 të plagosur. Zyrtarët shtuan se Izraeli është plotësisht përgjegjës për pasojat humanitare dhe të sigurisë që lindin nga shkeljet e tij.
Izraeli vazhdon të kufizojë ndihmat dhe furnizimet mjekësore që janë jetike për popullsinë e Gazës, ndalime që bien ndesh me detyrimet e armëpushimit. Më 10 nëntor, ushtria izraelite zhvilloi një valë sulmesh ajrore në të gjithë Gazën, duke vrarë të paktën 24 palestinezë, përfshirë fëmijë, në shkeljen e saj më të fundit të armëpushimit që ka gjashtë javë që është në fuqi.
Zyra e Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se këto sulme u kryen pasi një luftëtar i Hamasit sulmoi ushtarë izraelitë në territorin e okupuar brenda linjës së njohur si “linja e verdhë”.
“Si përgjigje, Izraeli eliminoi pesë luftëtarë të lartë të Hamasit”, thuhet në deklaratë.
“Armëpushim vetëm në letër”
Hamasi ka kërkuar që Izraeli të zbulojë identitetin e luftëtarit që dyshohet se sulmoi forcat izraelite. Izzat al-Risheq, anëtar i lartë i Byrosë Politike të Hamasit, i bëri thirrje ndërmjetësve të marrëveshjes dhe administratës amerikane të ushtrojnë presion mbi Izraelin për të respektuar marrëveshjen.
“Izraeli po shpik justifikime për të shmangur marrëveshjen dhe për t’u rikthyer në një luftë shfarosjeje”, tha ai.
Raportimet nga Gaza tregojnë se armëpushimi ekziston vetëm “në emër”, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë sulmet ajrore, duke lënë palestinezët me një ndjesi të thellë pasigurie. Disa familje palestineze janë bllokuar në veri të Gazës, ndërsa ushtria izraelite ka pozicionuar forcat e saj më thellë brenda enklavës, duke shkelur marrëveshjen.
Në marrëveshje, “linja e verdhë” është një kufi i papërcaktuar ku forcat izraelite kanë vendosur pozicionet e tyre, duke ruajtur kontrollin mbi më shumë se gjysmën e territorit bregdetar. Hamasi akuzon Izraelin për shkelje të armëpushimit “me justifikime të fabrikuara” dhe i bën thirrje ndërmjetësve, SHBA-ve, Egjiptit dhe Katarit, të ndërhyjnë menjëherë.