Përshkallëzohen sulmet izraelite në Gaza, 24 persona të vrarë dhe 54 të plagosur

Ushtria izraelite të shtunën nisi sulme ajrore kundër militantëve të Hamasit në Gaza, në shkelje të armëpushimit që filloi më 10 tetor.

Zyrtarët e shëndetësisë në Gaza raportuan të paktën 24 persona të vrarë dhe 54 të tjerë të plagosur, përfshirë fëmijë.

Sipas raportimeve, sulmet izraelite erdhën ndërsa po shtohet vrulli ndërkombëtar në Gaza, me Këshillin e Sigurimit të OKB-së që miratoi të hënën planin e SHBA-së për të siguruar dhe qeverisur territorin. Ai autorizon një forcë stabilizuese ndërkombëtare për të ofruar siguri, miraton një autoritet kalimtar që do të mbikëqyret nga Presidenti Donald Trump dhe parashikon një rrugë të mundshme në të ardhmen drejt një shteti të pavarur palestinez.

Izraeli ka kryer më parë valë të ngjashme sulmesh pas raportimeve për sulme ndaj forcave të tij. Të paktën 33 palestinezë u vranë gjatë një periudhe 12-orëshe të mërkurën dhe të enjten, kryesisht gra dhe fëmijë, thanë zyrtarët e shëndetësisë.

Një nga sulmet e së shtunës shënjestroi një automjet, duke vrarë 11 palestinezë dhe duke plagosur mbi 20 të tjerë në lagjen Rimal të qytetit të Gazës, tha Rami Mhanna, drejtor menaxhues i Spitalit Shifa, ku u dërguan viktimat.

Shumica e të plagosurve ishin fëmijë, tha drejtori Mohamed Abu Selmiya.

Ndërkohë, një tjetër sulm që shënjestroi një shtëpi pranë Spitalit Al-Awda në Gazën qendrore vrau të paktën tre persona dhe plagosi 11 të tjerë. Sakq, spitali tha se një sulm ndaj një shtëpie në kampin Nuseirat në Gazën qendrore vrau të paktën shtatë persona, përfshirë një fëmijë, dhe plagosi 16 të tjerë.

Dhe një sulm që synonte një shtëpi në Deir al-Balah në Gazën qendrore vrau tre persona, përfshirë një grua, sipas Spitalit Al-Aksa.