Bombardime dhe zjarr në Gaza, nis përpjekja për të gjetur trupat e zhdukur





Forcat izraelite kanë kryer sulme të reja ajrore dhe granatime tokësore në jug dhe qendër të Rripit të Gazës, raportojnë gazetarët e Al Jazeera Arabic.

Sipas tyre, bombardime nga ajri dhe zjarr nga tanket janë shënuar në lindje të Rafah-ut, ndërsa artileria izraelite ka goditur zona pranë Khan Younis, pjesën lindore të Deir el-Balah dhe lagjen Tuffah të qytetit të Gazës.

Paralelisht, Mbrojtja Civile Palestineze ka njoftuar se pritet të fillojnë përpjekjet për gjetjen e trupave të shumë banorëve të zhdukur në kampin Maghazi në qendër të enklavës. Në operacion do të marrin pjesë edhe përfaqësues të Kryqit të Kuq, Komitetit Egjiptian dhe forcave policore lokale.

Ndërkohë, tensionet po rriten edhe në Libanin jugor. Sipas Al Jazeera Arabic dhe Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit, një dron izraelit ka goditur me dy raketa të drejtuara një automjet pranë qytetit Zawtar al-Sharqiyah, duke vrarë një person.

Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, që prej tetorit 2023, ofensiva izraelite ka shkaktuar më shumë se 69,546 të vrarë dhe 170,833 të plagosur. Nga ana tjetër, sipas të dhënave izraelite, gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 u vranë 1,139 persona dhe rreth 200 të tjerë u morën peng.