“O Zoti im”: Momenti kur aeroplani luftarak rrëzohet në Dubai, vdes piloti (VIDEO)





Një pilot ka vdekur, pasi një aeroplan luftarak indian u rrëzua gjatë një performance në një panair ajror në Dubai, kanë thënë zyrtarët.

Forca Ajrore e Indisë në një deklaratë tha: “IAF-ja shpreh keqardhje të thellë për humbjen e jetës dhe qëndron fort me familjen e pikëlluar në këtë kohë zie”, raporton televizioni BBC.

Aeroplani i prodhuesit “Hindustan Aeronautics” u rrëzua rreth orës 14 e 10 minuta sipas kohës lokale, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Zyra për Media e Dubait dhe Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë thënë se zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente “janë përgjigjur shpejt” në incident dhe po e menaxhojnë situatën në vendin e ngjarjes.

Në video të publikuara në rrjete sociale shihet aeroplani duke fluturuar në qiell e më pas duke e humbur shpejt lartësinë, para se të binte në tokë dhe të kaplohej nga flaka e tymi i madh.

Në uebfaqen e Panairit Ajror të Dubait thuhet se organizimi ka tërhequr më shumë se 148 mijë pjesëmarrës dhe kontribuues në panair nga 1.500 kompani.

Rrëzimi fatal i aeroplanit ndodhi në ditën e fundit të panairit ajror që nisi të hënën në Aeroportin Ndërkombëtar “Al Maktoum”.