Fakulteti Filologjik i Universitetit të Tetovës e shënoi 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Fakulteti Filologjik organizoi manifestim solemn për të rikujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe rolin e tij themelor në unifikimin e shkrimit të gjuhës shqipe. Aktiviteti u hap me vargje të Gjergj Fishtës, që theksojnë peshën shpirtërore dhe identitare të gjuhës sonë amtare.
Manifestimin e shpalli të hapur shefja e programit studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Doc. Dr. Albulena Dehari. Ajo u shpreh se 22 Nëntori shënon jo vetëm një datë në kalendar, por një akt vizionar që i dha gjuhës sonë një formë të unifikuar, një zë të përbashkët dhe një themel të patundur për zhvillimin kulturor, arsimor dhe shoqëror të shqiptarëve kudo që jetojnë. Sipas saj Kongresi i Manastirit i vitit 1908 nuk ishte vetëm një mbledhje dijetarësh; ai ishte një moment unik i vetëdijes kombëtare, një dëshmi e fuqisë së bashkimit dhe e vendosmërisë për të ruajtur e zhvilluar identitetin tonë gjuhësor.
Më pas Prof. Dr. Fatmir Sulejmani, para auditorit lexoi një ese reflektive që trajtoi rrugëtimin e vështirë të gjuhës sonë ndër shekuj, madhështinë e saj si simbol i identitetit kombëtar dhe aftësinë e ringjalljes nga hiri. Ai më tej theksoi se rilindësit e quajtën shqipen “Gjuhë perëndish”. Ata e mëkëmbën dhe e shndërruan në armë për ringjalljen e vetëdijes së shfytyruar ndër katrahura përsëritjesh që përsëriten përsëri. Përndryshe, shqipja është gjuhë e veçantë e indo-evropianishtes, ku bëjnë pjesë 46% e gjuhëve të botës.
Ndërsa Prof. Dr. Izmit Durmishi solli një pasqyrë të zhvillimit historik të shqipes, duke theksuar rëndësinë e alfabetit të unifikuar dhe vendimet e Kongresit të Manastirit. Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që i përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë vendit, si edhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote. Në këtë mënyrë, Kongresi i Manastirit u shndërrua në një kuvend mbarëshqiptar ku morën pjesë gjithsej 50 delegatë të cilët vinin nga viset e Shqipërisë: nga qytetet e vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe nga shoqëritë shqiptare të Sofjes, të Bukureshtit, të Janinës, të Stambollit, të Amerikës, të Egjiptit, të Italisë e të tjerë.
Manifestimi kushtuar Ditës së ABC-së u pasurua me interpretimet artistike të studenteve të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe: Altina Sulemani, Ezana Qamili, Rexhije Sulejmani, Altina Ibrahimi dhe Erza Qira, të cilat interpretuan poezitë “Shqipëria ime” – Lindita Ahmeti dhe “Gjuha shqipe” – Ismail Kadare.
Aktiviteti u përmbyll me një performancë në violinë nga Benjamin Menga, student i Fakultetit të Arteve.



