Trump: Jam dakord për të sanksionuar të gjitha vendet që tregtojnë me Rusinë

Një projektligj i propozuar nga Senatit Amerikan mund të vendosë një tarifë 100% për vendet që tregtojnë me Moskën, përfshirë blerësit kryesorë si India dhe Kina, ndërsa Uashingtoni shtyn përpara sanksione të reja të mbështetura nga Presidenti Trump për të izoluar ekonominë e luftës së Rusisë.

Duke folur me gazetarët të dielën, Trump tha se republikanët po hartonin kuadrin ligjor për sanksione të mëtejshme dhe shtoi: “Kjo është në rregull për mua. Çdo vend që bën biznes me Rusinë do të sanksionohet shumë rëndë, ne mund ta shtojmë Iranin në formulë”, tha ai.

Në një përpjekje për të penguar të ardhurat e Rusisë nga energjia, legjislacioni i quajtur Akti i Sanksionimit të Rusisë i vitit 2025, do të sillte tarifa amerikane deri në 500% për importet nga vendet që blejnë uranium ose produkte nafte nga rusia.

Senatorët amerikanë Lindsey Graham dhe Richard Blumenthal e paraqitën projektligjin në prill 2025. Në një deklaratë të përbashkët në korrik, ata thanë: “Goditja përfundimtare për t’i dhënë fund kësaj lufte do të jenë tarifat kundër vendeve, si Kina, India dhe Brazili, që mbështesin makinën e luftës së Putinit duke blerë naftë dhe gaz rus të lirë”, janë shprehur ata.

Sipas raportimeve, projektligji do të hyjë në fuqi nëse Presidenti i SHBA-së përcakton se Rusia po refuzon të negociojë një marrëveshje paqeje me Ukrainën, po shkel një marrëveshje paqeje ose po ndërmerr veprime të tjera agresive në Ukrainë.

Deri më tani, Trump kishte hezituar ta mbështeste legjislacionin, ndërsa Uashingtoni organizonte bisedime paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë, duke përfshirë pritjen e Vladimir Putinit në Alaska më 15 gusht 2025 dhe duke shqyrtuar një samit të mundshëm në Budapest. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, negociatat mbeten të bllokuara.