Kryeministri hungarez, Viktor Orban, deklaroi sot se situata është e rrezikshme dhe se Evropa ndodhet në prag të luftës.
Qytetarët e Evropës duhet ta ngrejnë zërin e tyre, përndryshe liderët evropianë do ta fusin kontinentin në luftë, tha Orbán, duke shtuar se ai po sheh “të njëjtat shenja si para Luftës së Parë Botërore”, transmeton MTI.
Qëndrimi i qeverisë hungareze nuk formësohet nga interesat e të tjerëve, tha Orbán, duke shtuar se ajo udhëhiqet vetëm nga interesat e Hungarisë dhe do t’i promovojë vetëm ato, edhe nëse nuk përputhen me interesat e vendeve të tjera.
Ai bëri thirrje për “biseda të sinqerta dhe të thella”, por shtoi se mediat e financuara nga jashtë nuk janë sovrane dhe nuk duhet të zhvillohen diskutime me to. Orbán tha gjithashtu se ka shumë të majtë me të cilët mund të bashkëpunojë rreth rëndësisë së paqes dhe i ftoi hungarezët që duan paqe të bashkohen.
Lidhur me luftën në Ukrainë, Orbán vlerësoi se as Rusia dhe as Ukraina nuk janë të gatshme për paqe dhe se është e nevojshme ndikimi i fuqive të mëdha për të nisur negociatat.
Sipas tij, Ukraina nuk është më një shtet sovran dhe po mbijeton vetëm falë ndihmës perëndimore.