Kalimet politike – pasqyra e rrënimit moral dhe ideologjik

Nga Arben Llalla

Kur politika humb moralin dhe karakterin, ajo nuk është më shërbim ndaj kombit dhe shtetit, por tregti interesi. Kalimet nga një parti në tjetrën nuk janë shenjë demokracie, por dëshmi e frikës dhe varfërisë shpirtërore të klasës sonë politike.

Në vitet e fundit, skena politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe Shqipëri po përjeton një dukuri të shpeshtë e të shëmtuar: kalimet e figurave publike nga një parti në tjetrën. I shoh si simptomë të një krize të thellë morale dhe ideologjike, që po shkatërron vetë kuptimin e politikës

Kalimet e shpeshta nga një parti në tjetrën janë bërë dukuri e zakonshme në politikën shqiptare. Dikur përbënin skandal, sot nuk befasojnë askënd. Por në thelb, ato janë pasqyra e rrënimit moral dhe ideologjik të një klase politike që nuk udhëhiqet nga bindjet, por nga interesat.

Këto lëvizje nuk kanë lidhje me debatet e ideve apo me vizionin për të ardhmen kombëtare. Janë thjesht kalime për një vend pune, për një përfitim personal, për një premtim që garanton siguri individuale. Politika jonë është kthyer në një treg pune ku idealet shiten lirë, dhe moralit i është vënë çmim.

Në vend që të kemi një garë idesh, kemi garë për privilegje. Në vend që të kemi betejë për zhvillim kombëtar, kemi pazare për interesa personale. Politikanët që dje e mallkonin një parti, sot e quajnë “shtëpi të përbashkët”. Ata që dje ngrinin flamurin e idealit, sot bëjnë selfie në krah të atyre që dikur i quanin armiq. Kjo nuk është politikë, kjo është tregti e shpresës.

Çdo kalim i tillë është shenjë frike – frikë nga papunësia, nga humbja e privilegjit, nga rënia në harresë. Dhe pikërisht kjo frikë ka bërë që politika shqiptare të humbasë shpirtin e saj. Ajo nuk udhëhiqet më nga ideali, por nga frika dhe llogaria.

Më vjen neveri kur lexoj lajme që festojnë këto kalime, sikur të ishin fitore. Fitore për kë? Për kombin? Jo. Për disa individë që kanë harruar se dikur politika ishte sakrificë, përkushtim dhe ndershmëri. Sot ajo është përkulje ndaj pushtetit dhe pazar për mbijetesë.

Nëse duam të ndryshojmë realisht, duhet të kthehemi te morali, karakteri dhe edukimi politik. Pa këto, çdo parti është një ndërmarrje e përkohshme, çdo lider një tregtar pushteti dhe çdo votë një investim i humbur në mashtrime të reja me fytyra të vjetra.

Njeriu pa ideal është si anija pa busullë – endet në detin e jetës pa drejtim, në mëshirën e dallgëve. Kështu janë bërë edhe shumë prej atyre që quhen politikanë sot: pa busullë morale, pa drejtim shpirtëror, pa përgjegjësi ndaj kombit.

Frika e ka zëvendësuar ndërgjegjen, interesi ka vrarë sakrificën, dhe servilizmi ka zëvendësuar dinjitetin. Por një shoqëri që jeton nën frikë, kurrë nuk mund të jetë e lirë. Liria fillon aty ku mbaron frika dhe lind ndërgjegjja.

Një komb që ndërron bindjet si këmishë, nuk ka të ardhme. Sepse pa ideal, pa moral dhe pa karakter, mbetet vetëm turpi i përbashkët i një shoqërie që harron kush është dhe pse ekziston.

Në fund të fundit, kombet nuk ngrihen nga njerëzit që ndërrrojnë parti, por nga ata që nuk ndërrrojnë ideale. Sepse idealet janë përjetësia e një populli, ndërsa interesat janë pluhuri që i mbulon përkohësisht nderin.