Javën e kaluar, Ben Blushi si shkrimtar dhe fotograf, pati shumë herë të para në jetën e tij. Hera e parë në Pekin, e para herë që jep mësim për studentët kinezë të gjuhës shqipe, që prezanton librin e tij të përkthyer në kinezisht, por edhe e para herë në një intervistë për CMG në Kinë.
Ben Blushi erdhi në Pekin i ftuar nga BSFU dhe nga Shefja e Katedrës së Gjuhës Shqipe pranë Fakultetit të Gjuhëve dhe Kulturave Evropiane znj. Chen Fenghua, e cila është njëkohësisht dhe përkthyesja e librave të tij në kinezisht. Ai dha dy leksione për letërsinë e tij dhe artin e fotografisë. Në një intervistë me ne, ndan të gjitha përshtypjet e herëve të tij të para në Pekin.
1. Në epokën aktuale të globalizimit, kur inteligjenca artificiale është futur në skenë, shihni shumë studentë këtu që mësojnë gjuhën dhe kulturën shqipe? Si e vlerësoni këtë?
Është gjë shumë e mirë që studentët kinezë mësojnë shqip. Kjo afron dy popujt edhe i jep mundësinë studentëve të njohin një pjesë tjetër të planetit. Shqipëria është më e vogël se një qytet i vogël kinez, por është një vend shumë interesant. Ka shumë histori. Ka patur dhe ka akoma një rol të rëndësishëm në Ballkan. Ka letërsi të bukur, folklor, muzikë, peizazhe shumë të bukura, ka njerëz shumë paqësorë. Shqiptarët janë i vetmi vend në Evropë që nuk kanë pushtuar asnjë vend tjetër. Dhe kjo nuk është pak për të njohur një popull kaq paqësor, në kohë kaq të rrezikshme ku jetojmë sot.
2. Keni mbajtur dy leksione këtu në Kinë. Një ka të bëjë me letërsinë, tjetri me fotografinë. Çfarë mesazhesh donit të shprehnit për studentët këtu?
Ishte hera e parë në jetë që bëja leksione. Unë kam qenë student, por asnjëherë profesor.
Jam shumë i kënaqur sepse studentët kinezë e kanë mësuar mirë shqipen. Kanë aftësinë për të lexuar e kuptuar edhe letërsi. U përpoqa ti shpjegoj çfarë letërsie kam bërë. Kam 15 – 20 vjet që botoj romane, disa prej të cilave ua shpjegova studentëve kinezë. Mesa kuptova atyre ju pëlqeu leksioni. Ky ishte leksioni i parë.
I dyti ishte për fotografinë sepse unë merrem shumë me fotografi. Shpresoj që ata e shijuan leksionin, për të kuptuar raportin e fotografisë me mendimin. Ne sot jetojmë në një kohë ku secili është një fotograf. Por jo çdo fotografi që bëjmë ne ka mendim. Fotografi e bukur është ajo që ka mendim, ka një simbol, ka një domethënie. Kjo është ajo që përpiqem të bëj unë. Jam shkrimtar shumë i mirë, por fotograf jo shumë i mirë.
Kam bërë shumë fotografi të bukura në Kinë, sidomos në sheshin Tiananmen. Njeriu kur fotografon, kupton pak edhe popullin. Ajo që më pëlqeu në Kinë është se kam fotografuar njerëz të lumtur. Njerëzit ishin të lumtur dhe kjo është e rëndësishme. Janë entuziastë për jetën. Mendojnë se nesër do jetë më mirë. Çdo popull që mendon se nesër është më mirë se dje, është një popull i lumtur.
3. Jeni shkrimtar, gazetar, fotograf. Mendoni se arti dhe kultura mund të arrijnë aty ku politika ndalet?
Patjetër. Politika ka shumë kufij. Sidomos në Evropë, pasi në Kinë kjo nuk ndodh, politika e ndan popullin në mes. Popujt e Evropës, përfshirë dhe Shqipërinë, janë politikisht të ndarë në mes. Gjysma me një parti, gjysma me një parti tjetër. Kurse arti, kultura dhe letërsia nuk i ndajnë njerëzit. I bashkojnë. Kjo është fuqia e artit.
4. Flasim pak për ju si shkrimtar. Mendoni se librat tuaj mund të përkthehen më shumë në gjuhën kineze?
Jam shumë i lumtur që një libër i imi është përkthyer në gjuhën kineze. E ka përkthyer Moza. Nuk e di emrin e saj kinez, por emrin shqiptar e ka shumë të bukur. Ajo më ka ftuar këtu dhe ka përkthyer librin tim Otello, Arapi i Vlorës. Është një roman që ka fituar çmimin evropian të letërsisë në vitin 2014. Unë kam marrë një personazh të Shekspirit, Otello, dhe e kam sjellë në një qytet mesdhetar si Vlora, në vitin 1300.
Përpiqem të tregoj dy gjëra. E para, raportet e dashurisë së pamundur mes një djali me ngjyrë dhe një vajze të pasur, që nuk mund të konsumohej për shkak të diferencave klasore. Më pas, mënyrën si i trajtojnë shqiptarët të ndryshmit, pra njerëzit me ngjyrë. Libri ka patur sukses edhe për këtë arsye. Shpresoj të jetë lexuar në Kinë. Disa studentë e kishin lexuar.
5. Mendoni se duhet të përkthehen më shumë libra në Kinë?
Do doja shumë që të përktheheshin. Kina ka një treg gjigand. Unë shkruaj për një treg me tre milionë banorë, kurse Kina ka një miliard e gjysmë banorë. Do kisha shumë qejf të përkthehesha në Kinë, për tu lexuar nga 100 milionë njerëz. Është një gjë e hatashme, një përmasë fantastike.
6. Ndërkohë si fotograf, gjatë qëndrimit tuaj në Kinë, a ju ka frymëzuar ndonjë gjë?
Kam fotografuar shumë kinezë nëpër rrugët e Pekinit. Ata janë shumë të lumtur dhe kjo më pëlqen shumë. Do kisha dëshirë të bëja një album fotografik për Kinën. Unë kam botuar një album fotografik këtë vit që quhet Shqiptarët e Panjohur. Mund të bëj një seri Kinezë të Panjohur. Njerëz të thjeshtë që ecin në rrugë, që shesin, që i japin makinës, që vrapojnë, që bëjnë dashuri, që puthen, që shkojnë në punë, që kthehen nga puna, që kanë dalë shëtitje. Këto janë njerëzit që dua të fotografoj.
Riktheheni pas disa vitesh në Kinë.
Kam qenë në vitin 2014, në Shangai në një qytet shumë interesant që quhet Ningbo. I vogël por më i madh se Shqipëria. Katër milionë banorë.
7. Riktheheni pas 11 vitesh. Ju ka bërë përshtypje Kina e sotme.
Ka ndryshuar shumë besoj. Është automatizuar shumë. Në Kinë gjithçka bëhet me telefon. Taksia me telefon, ushqimi me telefon, ilaçet me telefon. Çdo gjë përmes aplikacioneve. Shumë e zhvilluar. Më pëlqen shumë. Shumë inteligjente dhe shumë e sigurt.
8. Çfarë potenciali shihni në bashkëpunimet midis dy vendeve në aspektin kulturor, investues, ekonomik..
Në aspektin ekonomik, shqiptarët presin shumë që kinezët të investojnë në Shqipëri, siç po investojnë në shumë vende të botës. Kjo është shumë gjë e mirë.
Në aspektin kulturor mund të bëhen shumë gjëra. Unë lexoj shumë shkrimtarë kinezë që më pëlqejnë. Mendoj se mund të përkthehen edhe në Shqipëri. Do doja që edhe shkrimtarët shqiptarë të përktheheshin në Kinë. Tani është më e lehtë se ka studentë që flasin shqip. Të gjithë ju që mësoni shqip, mund të bëheni përkthyes shumë të mirë apo mësues të gjuhës shqipe.
9. Jeni shprehur që së shpejti inteligjenca artificiale do zëvendësojë gjithçka. A mendoni se mund t ju zëvendësojë edhe juve si shkrimtar apo fotograf?
S’e kam fare problem të konkurroj me inteligjencën artificiale për të bërë një roman. Tani jam duke shkruar një libër ku personazhet e mi flasin në Chatgpt. Çohen në mëngjes dhe e pyesin çfarë të vesh. Marrin informacione të vlefshme për jetën. ChatGTP po kthehet në një tru human, që të ndihmon të jetosh më mirë dhe të zgjidhësh dilemat e jetës.
10. Si mund të reagojmë ndaj këtij fenomeni të pashmangshëm?
Pse duhet ta shmangim? Kjo është shumë e bukur. Nuk duhet ta shmangim. Ne duhet ta shijojmë këtë. Kjo është një gjë që na ndihmon të jetojmë më mirë. Ky do jetë revolucioni më i madh që ka parë bota. Revolucioni i tretë ose i Katërt pas atij agro bujqësor, industrial dhe teknologjik. Dhe është i mrekullueshëm.