Shuhet James Watson, shkencëtari që zbuloi strukturën e dyfishtë të ADN-së

Laureati amerikan i çmimit Nobel, James Watson, i cili vdiq sot, revolucionarizoi shkencën duke zbuluar strukturën e ADN-së me kolegun e tij Francis Crick, një arritje e madhe e njollosur nga vërejtje raciste.

”Ai vdiq në moshën 97-vjeçare”, sipas laboratorit ”Cold Spring Harbor” (CSHL), ku ai kishte punuar. Zbulimi i tij shfaqet në çdo klasë biologjie në botë dhe simbolizon vetë jetën.

Qindra sfera të vogla me katër ngjyra të ndryshme, të ndërthurura në një spirale të dyfishtë: ADN. I lindur më 6 prill 1928, në Çikago, James Watson studioi ornitologji dhe biologji.

Duke u kthyer nga një konferencë në Napoli ku u prezantuan kërkimet mbi ADN-në (acidin dezoksiribonukleik), ai filloi të studionte strukturën e kësaj molekule.

Në atë kohë, shkencëtarët e dinin se ADN-ja mbart informacionin gjenetik të organizmave të gjallë dhe se ajo përbëhej nga katër lloje molekulash më të vogla, të quajtura nukleotide, të cilat përbëjnë katër shkronjat e alfabetit gjenetik (A, C, T dhe G).

Por, ata nuk ishin aspak të vetëdijshëm për formën e saj.

Në prill të vitit 1953, James Watson, së bashku me shkencëtarin britanik Francis Crick, botuan një artikull njëfaqësh në revistën prestigjioze shkencore ”Nature”.

Në të, të dy shkencëtarët përshkruan për herë të parë strukturën e dyfishtë spirale të ADN-së.

Nukleotidet mblidhen në çifte: A me T dhe C me G.

Kjo strukturë bëri të mundur të kuptohet se si kopjohet dhe transmetohet informacioni gjenetik i përmbajtur në secilën qelizë.

“Ne besojmë se ADN-ja është një kod. Me fjalë të tjera, ne besojmë se kemi gjetur mekanizmin bazë të kopjimit që jep jetë”, i shkroi Francis Crick të birit.

Crick, i cili vdiq në vitin 2004, ishte 36 vjeç në atë kohë, dhe Watson ishte vetëm 25 vjeç.

Në vitin 1962, James Watson mori çmimin Nobel në Mjekësi së bashku me Francis Crick dhe biofizikantin e Zelandës së Re, Maurice Wilkins.

Puna e tyre, e cila revolucionarizoi kërkimin mjekësor, bujqësinë dhe bioteknologjinë, njihet si një nga zbulimet më të mëdha shkencore të të gjitha kohërave.