“Paralizohet” Jeruzalemi, rreth 200.000 hebrenjë ultra-ortodoksë në protestë





Një protestë e madhe e hebrenjve ultra-ortodoksë kundër rekrutimit të detyrueshëm ushtarak u kthye në tragjedi të enjten në Jerusalem, pasi një adoleshent humbi jetën gjatë demonstratës që paralizoi hyrjen kryesore të qytetit.

Sipas mediave izraelite, rreth 200 mijë persona, kryesisht burra dhe djem, dolën në rrugë për të kundërshtuar detyrimin për shërbim ushtarak, duke bllokuar autostradën Route 1 që çon drejt Jerusalemit.

Në pamjet e publikuara shihet se disa protestues kishin hipur mbi kulme ndërtesash, vinça dhe madje mbi një pompë karburanti. Shërbimi izraelit i urgjencës njoftoi se një 15-vjeçar u rrëzua për vdekje, ndërsa policia ka hapur një hetim për incidentin.

Çështja e përjashtimit të ultra-ortodoksëve nga ushtria ka qenë prej kohësh burim përçarjesh të thella në shoqërinë izraelite dhe ka shtuar presionin politik ndaj kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Udhëheqësit fetarë ultra-ortodoksë theksojnë se përkushtimi i të rinjve ndaj studimeve të shkrimeve të shenjta është i shenjtë dhe frikësohen se rekrutimi do t’i largonte nga jeta fetare.

“Tani për tani, ata që refuzojnë ushtrinë dërgohen në burg ushtarak. Nuk është aq keq, por ne jemi vend hebraik – nuk mund të luftosh kundër judaizmit në një vend hebraik”, tha protestuesi Shmuel Orbach për “Reuters”.

Gjykata Supreme e Izraelit ka urdhëruar vitin e kaluar t’i jepet fund përjashtimit të ultra-ortodoksëve nga detyrimi ushtarak, ndërsa parlamenti izraelit vijon të përballet me vështirësi për të miratuar një ligj të ri për rekrutimin.