Një lojtar i Realit u ndëshkua me të kuq, pas përleshjes në përfundimin e ndeshjes

Një lojtar i Real Madridit është ndëshkuar me karton të kuq direkt dhe gjashtë të tjerë janë ndëshkuar me të verdhë në fund të “El Clásico”-s, ka konfirmuar arbitri i ndeshjes në raportin e tij zyrtar.

Reali mposhti Barcelonën 2-1 në “Santiago Bernabéu”, falë golave të pjesës së parë nga Kylian Mbappe dhe Jude Bellingham, ndërsa për katalanasit shënoi Fermin Lopez.

Pak minuta para përfundimit të ndeshjes shpërtheu një përleshje mes dy bankinave, pasi Pedri u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për një faull ndaj Aurelien Tchouameni.

Arbitri Cesar Soto Grado ndëshkoi me të verdhë disa lojtarë, mes tyre mbrojtësin Eder Militao dhe portierin Andriy Lunin, i cili nuk ishte në fushë në atë moment.

Pas incidentit, tensionet vazhduan edhe pas përfundimit të takimit, kur Vinicius Junior dhe Lamine Yamal u përfshinë në një debat të ashpër.

Por pasi situata u qetësua, në raportin e ndeshjes u konfirmua se gjithsej gjashtë lojtarë ishin ndëshkuar me karton të verdhë, ndërsa një – me të kuq.

Sipas COPE, Lunin është ai që mori kartonin e kuq direkt për pjesëmarrjen e tij në përleshje, ndërsa Militao u ndëshkua “për ballafaqim me kundërshtarin pa përdorur fyerje apo kërcënime”.

Në të njëjtën arsye u ndëshkuan edhe Rodrygo dhe Vinicius, ndonëse këto ndëshkime nuk u vunë re gjatë transmetimit televiziv.

Nga ana e Barcelonës, Alejandro Balde dhe Ferran Torres u ndëshkuan gjithashtu për “ballafaqim me kundërshtarin pa përdorur fyerje apo kërcënime”, ndërsa Fermin Lopez mori të verdhë “për shtyrje të pakontrolluar ndaj një kundërshtari, duke shkaktuar konflikt”.

Për ndëshkimin e Lunin, arbitri Grado shkroi: “Për braktisjen e bankinës së tij drejt asaj të kundërshtarit me qëndrim agresiv, duke u mbajtur me forcë nga bashkëlojtarët.”

Me këtë fitore, Real Madridi ka thelluar avantazhin në pesë pikë ndaj Barcelonës dhe ka regjistruar fitoren e katërt radhazi në La Liga.