Aksion policor në Shkup – arrestohen shtetas turq dhe uzbekë për falsifikim të lejeve të qëndrimit dhe dokumenteve të tjera zyrtare
MPB njofton se më datë 21.10.2025, rreth orës 01:30, zyrtarë policorë nga Njësia për Krim Ndërkufitar, Migracion, të Huaj – Shkup, pranë Qendrës Rajonale për Punë Kufitare Veri, së bashku me Njësinë për Policinë Ndërhyrëse të SPB Shkup, arrestuan A.Z. (30), Z.A. (26), E.S.O. (20) dhe A.U. (51), të gjithë nga Turqia, si dhe N.A.T. (39) dhe A.D.M.U. (27), të dy nga Uzbekistani, nën dyshimin për shkelje të nenit 212 të Ligjit për të Huajt dhe nenit 378 të Kodit Penal.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e A.Z., në rajonin e Çairit, e cila u krye me urdhër gjykate dhe ku u gjetën edhe pesë personat e tjerë pa leje qëndrimi, policia gjeti dhe konfiskoi disa leje qëndrimi në emër të personave të tjerë, para në valuta dhe prerje të ndryshme, vula të kompanive private dhe institucioneve shtetërore për të cilat dyshohet se janë falsifikuar, kompjuterë laptop, pasaporta turke në emër të personave të tjerë dhe sende të tjera që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale.
Personat janë ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tyre do të ngriten kallëzime përkatëse penale.