Gara e nxehtë pritet të jetë në Tetovë dhe Çair. Dy kandidatët e koalicionit VLEN presin mbështetje nga VMRO për të dalë fitues në këto zgjedhje. Ndërsa në Çair, Izet Mexhiti ka marrë përkrahje nga VMRO që në raundin e parë, situata është ndryshe në Tetovë, ku kjo parti nuk e mbështet kandidatin Bilall Kasami.
Në rrjetet sociale qarkullojnë mesazhe nga VMRO – Çair, ku thuhet se qytetarët duhet të votojnë listën e këshilltarëve me numrin 9, ndërsa për kryetar komune të përkrahin kandidatin e VLEN-it, Izet Mexhitin.
Ndryshe nga kjo, në Tetovë, VMRO ka bërë thirrje që të votohet vetëm lista e këshilltarëve me numër 9, pa shprehur mbështetje për ndonjë kandidat për kryetar, duke lënë kështu jashtë përkrahjes Bilall Kasamin.
Nga ana tjetër, sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), deri në orën 09:00 pjesëmarrja në votime ka qenë e ulët, vetëm 3%, por pritet që intensiteti të rritet në orët e pasdites. /TS/