Bajram Rexhepit me porosi të fundit: Më 19 Tetor vendosim për të ardhmen! Të votojmë për dinjitetin dhe të ardhmen e Tetovës

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, në ditën e fundit edhe pak çaste fillon heshtja zgjedhore ka bërë një thirrje publike emocionuese dhe motivuese për qytetarët tetovarë, pak ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 19 tetor.

Në një adresim të drejtpërdrejtë ndaj bashkëqytetarëve të tij, Rexhepi u shpreh i falënderuar për mikpritjen dhe mbështetjen e marrë gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se kjo ishte një periudhë intensive, por edhe dinjitoze.

“Kaluam një fushatë të gjatë, intensive dhe dinjitoze. Trokitëm në çdo derë, vizituam çdo lagje, çdo vendbanim e çdo fshat. Biseduam zemërhapur, shkëmbyem ide, dëgjova shqetësimet tuaja dhe ndjeva dashurinë tuaj për Tetovën tonë”, theksoi ai në mesazhin e tij.

Rexhepi theksoi se përmes takimeve me qytetarët ka marrë besim dhe forcë për të vazhduar përpara, duke i ftuar të gjithë që të dielën të votojnë të lirë dhe me bindje.

“Të dielën, më 19 tetor, ju ftoj të dilni dhe të votoni të lirë, me bindje dhe me krenari. Votoni për dinjitetin që Tetova e meriton, për shpresën që e kemi ndezur bashkë, për punën që na pret nga e hëna”, u shpreh ai.

Ai shtoi se kjo nuk është një votë për të si individ, por një votë për një të ardhme të përbashkët dhe një Tetovë më të mirë për të gjithë qytetarët.