Paralajmërimi i fortë i Lavrov për SHBA: Nëse jepni raketat, dëmet do jenë kolosale

Një ditë përpara vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtetet e Bashkuara, ku pritet të takohet me Donald Trump, Moska ka lëshuar një paralajmërim të fortë lidhur me furnizimin e mundshëm të Kievit me raketa amerikane të llojit Tomahawk.

Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, në një intervistë të dhënë së fundmi, reagoi ndaj komenteve të Presidentit Trump për ndihmën ushtarake ndaj Ukrainës. Sipas Lavrov, çdo hap drejt dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi do të përbënte një përshkallëzim serioz të konfliktit dhe do të sillte pasoja të rënda në marrëdhëniet ruso-amerikane.

“Ai pranoi se do të ishte një përshkallëzim, dhe shumë serioz. Në atë rast, Ukraina nuk do të ketë më të bëjë fare me të. Kjo thjesht do të shkaktojë dëme kolosale në perspektivat për normalizimin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe në përpjekjet për të thyer bllokimin e plotë në të cilin këto marrëdhënie janë futur nga administrata e Joe Biden,” deklaroi Lavrov.

Një ditë më parë, Trump u shpreh se ishte i zhgënjyer nga presidenti rus Vladimir Putin, por pavarësisht kësaj, nga Shtëpia e Bardhë është nënvizuar se Presidenti mbetet optimist për një zgjidhje paqësore të konfliktit.