Bujar Osmani pas tubimit në Çair: Ju falënderoj nga zemra! Më 19 tetor votoni për ndryshimin! Bashkë për Çairin e ri
Pas tubimit madhështor të mbajtur në komunën e Çairit nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), kandidati për kryetar komune, Bujar Osmani, ka reaguar me një mesazh falënderimi dhe mobilizimi për qytetarët, duke e cilësuar ngjarjen si një moment historik për vendimmarrjen politike në këtë komunë.
“Ju falënderoj nga zemra! Nuk ishte vetëm një tubim, por një moment kur populli tregoi gatishmërinë të marrë fatin në duart e veta,” shkruan Osmani, njofton TS.
Ai tha se pas 20 vitesh zhgënjime dhe mashtrime, ka ardhur koha që qytetarët të bëjnë dallimin mes atyre që kanë përfituar nga Çairi dhe atyre që duan t’ia kthejnë atë popullit.
“Është betim për ndershmëri, dinjitet dhe ndryshim të vërtetë!” theksoi kandidati i AKI-së.
Osmani i bëri thirrje qytetarëve që më 19 tetor të dalin në zgjedhje dhe ta vulosin me votë vullnetin për ndryshim.
“Mos lejo të vendosin të tjerët për ty dil dhe voto!”, thekson Osmani.
Me mesazhin “#Bashkë për Çairin e ri, që meriton më shumë”, Bujar Osmani konfirmoi edhe një herë përkushtimin e tij për të sjellë një administratë të ndershme, transparente dhe me vizion europian për Çairin./TS