Më shumë se 12 civilë janë vrarë në Afganistan, teksa përleshje të reja kanë shpërthyer mes forcave të Afganistanit dhe Pakistanit më 15 tetor, thanë talibanët, duke shkelur paqen e brishtë që ishte në fuqi për pak kohë pas përplasjeve gjatë fundjavës që lanë të vdekur dhjetëra persona.
Dikur aleatë, tensionet e fundit mes dy shteteve të Azisë Jugore shpërthyen pasi Islamabadi kërkoi nga udhëheqja talibane në Afganistan që të ndërmarrë hapa kundër militantëve që kanë intensifikuar sulmet me Pakistan, duke argumentuar se ata operojnë nga Afganistani.
Talibanët mohojnë se në Afganistan ka prani të militantëve pakistanezë.
“Mëngjesin e sotëm, forcat pakistaneze nisën sulme… më shumë se 12 civilë u vranë dhe mbi 100 të tjerë u plagosën”, shkroi në X zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid.
Talibanët pretenduan po ashtu se kanë vrarë “një numër të madh të ushtarëve pakistanezë”, kanë marrë kontrollin e postblloqeve të tyre dhe qendrave, ua kanë konfiskuar armët dhe tanket dhe kanë “shkatërruar” shumicën e ndërtesave të tyre ushtarake.
Zyrtarët pakistanezë fajësuan talibanët për përleshjet dhe thanë se katër civilë janë plagosur në anën e tyre të kufirit.
“Forcat talibane sulmuan një postbllok pakistanez afër qarkut Çaman”, tha për agjencinë Reuters, Habib Ullah Bangulzai, administrator i këtij qarku të Pakistanit.
Luftimet kanë vazhduar për rreth pesë orë mëngjesin e së mërkurës, tha ai, duke shtuar se forcat pakistaneze “zmbrapsën” sulmin.
Edhe pse vazhdimisht ka përleshje mes forcave të sigurisë të të dyja shteteve përgjatë kufirit të tyre të kontestuar – të gjatë 2.600 kilometra – luftimet e javës së kaluar ishin më të ashprat që kur talibanët morën pushtetin në Kabul më 2021.
Këto dy shtete fqinje kanë mbyllur disa pikëkalime kufitare pas përleshjeve të javës së kaluar, duke shkaktuar ndërprerje të tregtisë dhe duke lënë të bllokuar kamionë me mallra në dy anët e kufirit.
Pakistani është burimi kryesor për mallra dhe furnizime ushqimore që transportohen përmes rrugëve tokësore në Afganistan.
Përleshjet e javëve të kaluara rritën shqetësimet ndërkombëtare, me Kinën që u kërkoi të dyja shteteve të mbrojnë qytetarët e tyre dhe investimet, me Rusinë që bëri thirrje për përmbajtje dhe me presidentin amerikan, Donald Trump, që deklaroi se ai mund të ndihmojë në dhënien fund të konfliktit.
Tensionet mes Pakistanit dhe Afganistanit gjatë këtij muaji përkojnë me vizitën që zhvilloi ministri i jashtëm taliban, Amir Khan Muttaqi, në Indi – rivalen e përbetuar të Pakistanit.
India dhe Afganistani, gjatë vizitës së Muttaqit, vendosën që të përmirësojnë raportet, me Nju Delhin që tha se do të rihapë ambasadën në Kabul. Ndërkaq, talibanët afganë po ashtu njoftuan se do të dërgojnë diplomatë në Indi.