Komisioni i Venedikut rekomandoi kufizimin e mandateve të prokurorit publik të RMV-së

Ligjet e propozuara për Prokurorinë Publike dhe Këshillin e Prokurorëve Publikë, pavarësisht disa mangësive, përmbajnë shumë karakteristika pozitive – të reja ose të marra nga ligjet në fuqi, thuhet në opinionin e përbashkët të Komisionit të Venedikut dhe Drejtorisë së përgjithshme për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit (DGI) të Këshillit të Evropës mbi dy projekt-tekstet legjislative të Qeverisë së Maqedonisë, transmeton Portalb.mk.

Në mendim rekomandohet ndryshimi i Kushtetutës, i cili do të kufizonte të drejtën e rizgjedhjes së prokurorit publik, si dhe të zgjedhjes dhe shkarkimit të tij me shumicë të kualifikuar në Parlament.

“Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve për autonominë dhe pavarësinë relative të Prokurorisë Publike, Komisioni i Venedikut rekomandon që, në kontekstin e reformës së ardhshme kushtetuese, Kushtetuta të ndryshohet edhe në këto pika”, thuhet në dokument.

Lidhur me Projektligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, opinioni rekomandon rishikimin e kohëzgjatjes së përvojës profesionale të të gjithë anëtarëve porotë të Këshillit, si dhe ofrimin e një alternative për mënyrën se si zgjidhen katër anëtarët porotë, duke siguruar kështu një përzgjedhje të bazuar në meritat dhe integritetin e kandidatëve, si dhe përfaqësim të larmishëm.

Komisioni i Venedikut propozon gjithashtu që funksioni i prokurorëve të zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Prokurorëve Publikë të pezullohet për kohëzgjatjen e mandatit të tyre në Këshill.

“Të sqarohen konceptet e “ndikon në autonominë e prokurorëve publikë” ose “neglizhon ose nuk i kryen funksionet dhe detyrat e tyre në punën e Këshillit” si baza për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Prokurorëve Publikë”, thuhet në rekomandime.

Ai propozon më tej përfshirjen e masave mbrojtëse shtesë në mënyrë që vendimet e rëndësishme, të tilla si ato për përfundimin e parakohshëm të mandatit të një anëtari të Këshillit, të merren me shumicën e votave të prokurorëve në Këshill.

“Projektligji duhet të parashikojë në mënyrë të qartë që si prokurorët ashtu edhe anëtarët porotë të Këshillit të zgjidhen në bazë të kapacitetit individual, që anëtarët prokurorë të mos jenë të varur nga Prokurori Publik i Republikës për sa i përket punës së tyre në Këshill, dhe që Prokurori Publik të mos ketë të drejtë të votojë në Këshill për fusha të caktuara, të tilla si disiplina”, thuhet në dokument.

Komisioni i Venedikut gjithashtu propozon, si një masë kalimtare, që të parashikohet në Ligj që anëtarët aktualë të Këshillit do të vazhdojnë të kryejnë funksionin e tyre deri në skadimin e mandateve të tyre aktuale.

Lidhur me Projektligjin për Prokurorinë Publike, Komisioni i Venedikut rekomandon që, kur përcaktohet e drejta për të kryer funksionin e prokurorit publik, aftësitë menaxheriale dhe organizative të përfshihen midis kritereve, si dhe të specifikohet se vetëm një rizgjedhje e prokurorit publik është e mundur.

“Të parashikohet që çdo dënim penal që përfshin dënim me burgim të përfundojë mandatin e Prokurorit Publik dhe prokurorëve; të ndryshohen bazat për shkarkimin e Prokurorit Publik për të siguruar qartësi dhe parashikueshmëri më të madhe; të kërkohet që Qeveria t’i japë shpjegim të qartë Parlamentit kur devijon nga mendimi i Këshillit të Prokurorëve Publikë për shkarkimin e Prokurorit Publik; dhe të sigurohen mbrojtje të përshtatshme procedurale për prokurorët nën vlerësim”, thuhet në rekomandim.

Komisioni i Venedikut gjithashtu rekomandon heqjen e mundësisë që dy vlerësime të njëpasnjëshme negative të performancës nga lista e “shkeljeve më të rënda disiplinore” të mund të çojnë në shkarkimin e një prokurori, si dhe të sqarohet se llogaridhënia e Prokurorit Publik para Parlamentit nuk zbatohet për vendimet individuale prokuroriale dhe ndjekjet penale të Prokurorisë Publike.

Kujtojmë se Komisioni i Venedikut e ka shtyrë miratimin e vlerësimit për projektligjin për Përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut nga seanca plenare e tetorit, në atë të dhjetorit. Mendimi apo vlerësimi për këtë ligj, nuk do të trajtohet më sipas procedures urgjente. Kështu i janë përgjigjur pyetjes së Portalb.mk, nga zyra për informim e Komisionit të Venedikut, se kur do të publikohet vlerësimi për ligjin i cili është shumë me rëndësi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Maqedoninë e Veriut, posaçërisht të shqiptarëve.