Ursula von der Leyen sot vjen në Shkup, do të pritet nga kryeministri Mickoski

Sot në një vizitë zyrtare në Shkup do të mbërrijë Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian.
Kryeministri Hristijan Mickoski do ta presë dhe do të jetë nikoqiri i saj në orën 15:45, njofton shërbimi për media i Qeverisë.

Në orën 15:50 do të zhvillohet një takim “tet-a-tet” në Qeveri, ndërsa në orën 16:05 do të mbahet takimi bilateral. Nuk janë paraparë deklarata për gazetarët.

Kryeministri Mickoski dje deklaroi se nga vizita e presidentes së Komisionit Evropian në Shkup pret riafirmimin e qëndrimit se qëllimi strategjik i vendit mbetet anëtarësimi i plotë në BE, duke shpresuar se në këtë proces do të ketë edhe “dorëzim konkret” nga ana e Unionit.
“Pres të riafirmojmë qëndrimet se qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në BE. Si duket, gjatë këtyre 25 viteve kemi humbur paksa imazhin tonë, ecë përpara në këtë rrugë duke humbur dinjitetin. Shpresoj se do të ketë hapa konkretë nga BE, që të ruajmë të paktën pak nga imazhi ynë përpara se të anëtarësohemi, sepse pa dinjitet e pa fytyrë të ruajtur, as atyre nuk do t’u shërbejmë si duhet. Kjo Qeveri nuk ka ndërmend të humbë më nga dinjiteti dhe imazhi i vet,” theksoi Mickoski.

Sa i përket paralajmërimeve të Von der Leyen për hapjen e qendrave të inteligjencës artificiale në Maqedoni dhe Serbi, Mickoski sqaroi se bëhet fjalë për një projekt që e ka shtyrë përpara vetë Qeveria, përmes Ministrisë për Transformim Digjital.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e nisi dje nga Tirana turneun e saj treditor në vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të të cilit sot do të vizitojë Shkupin.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, gjatë qëndrimit në Shkup, Von der Leyen pasdite do të takohet me presidenten e Maqedonisë, Gordana Siljanovska-Davkova, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.