Osmani drejtuar Mexhitit: 20 vjet ka punuar pa plan, tani do të bëjë Masterplan

!

Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në debatin e emisionit “Top Tema” në televizionin Telma, reagoi ashpër ndaj faktit që, pas dy dekadash qeverisjeje, ekipi aktual vetëm tani po propozon një masterplan urbanistik për Komunën.

“Plani nuk bëhet pas njëzet vitesh. Kjo do të thotë se për njëzet vjet është punuar pa masterplan. Është si të ndërtosh diçka pa projekt bazë e pa plan. Dhe tani, pasi gjithçka është ndërtuar e është krijuar kaosi, po bëjmë plan? Kjo është krejtësisht joserioze”, tha Osmani.

Ai theksoi se Çairi është shembulli më i qartë i keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit, por se ndryshimi do të fillojë me një qasje tërësisht të re dhe planifikim sistematik që nga dita e parë.

“Unë hyj që në fillim me plan. Së bashku me studion e Michel Rojkind e kemi parë Çairin nga një perspektivë tjetër – jo për të bërë projekte vetëm për të marrë vota, por për të identifikuar fillimisht problemet. Çdo projekt që është premtuar është zgjidhje për një problem konkret”, theksoi Osmani.

Ai shpjegoi se qasja e tij është humane dhe vizionare, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës dhe funksionalitetit të komunës.

“Gjithmonë kemi parë nga perspektiva e njeriut që jeton në Çair, që ka fëmijët që ecin nëpër këto rrugë, por edhe nga këndvështrimi i një mjeku – për ta humanizuar gjithë hapësirën”, shtoi Osmani.

Në vizionin e tij për zhvillimin urban, Osmani paralajmëroi disa zgjidhje të mëdha infrastrukturore që do ta modernizojnë Çairin.

“Me ndërtimin e një nënkalimi, një sheshi që e quajtëm ‘Liria’, dhe një parkingu nëntokësor, po krijojmë një zgjidhje funksionale për rrugën ‘Cvetan Dimov’. Edhe lidhja midis ‘Xhon Kenedi’ dhe ‘Nikolla Karev’ është shumë e rëndësishme, sepse Çairi ka dy pika kyçe ku qarkullimi bllokohet – këto projekte do ta ndryshojnë pamjen e komunës”, deklaroi Osmani.

Ai shtoi se nuk do të vendosë afate për projektet që kërkojnë koordinim të thellë institucional, por do të fillojë me “prishjen” e mentalitetit në komunë – atë që thotë “asgjë nuk mund të ndryshohet”.

“Këtë e pashë te qytetarët. I dëgjoj: ‘Kjo nuk bëhet, ajo nuk bëhet’. Për ‘Cvetan Dimov’ më thanë se nuk mund të realizohet, por shkova në Ferizaj – atje e kanë bërë të njëjtin projekt”, tha Osmani.

Ai shpjegoi se vizioni për Çairin nuk është një plan afatshkurtër politik, por një marrëveshje shoqërore me qytetarët.

“Vizionin tim për Çairin e kam paraqitur si marrëveshje me qytetarët, jo si pjesë të mandatit tim. Dua t’u tregoj njerëzve se mund të bëhet ndryshe. Sepse për njëzet vjet është i njëjti njeri. Dhe njerëzit kanë filluar të mendojnë se ai është i vetmi univers. Kur i pyes pse nuk kërkojnë më shumë, më thonë: ‘E tillë është komuna jonë’. Jo, Çairi meriton më shumë”, përfundoi Osmani.