Bajram Rexhepi: Mobilizim i fuqishëm në Lisec dhe Brodec

Kandidati për kryetar të komunës së Tetovës nga AKI-ja, Bajram Rexhepi, zhvilloi sot takime intensive me qytetarët në vendbanimet Lisec dhe Brodec, si pjesë e fushatës së tij nën moton #BashkëPërTetovën.

Në Lisec, Rexhepi u prit nga banorët vendas me ngrohtësi dhe respekt, ku u zhvillua një bashkëbisedim i hapur për problemet dhe pritshmëritë që ata kanë për të ardhmen e komunës njofton TS.

Ai theksoi se programi i tij është ndërtuar mbi bazën e kërkesave konkrete të qytetarëve dhe se çdo projekt do të reflektojë nevojat reale të terrenit.

“Nuk kemi ardhur për të dhënë premtime boshe, por për të dëgjuar dhe për të ndërtuar së bashku zgjidhje që e çojnë Tetovën përpara,” deklaroi Rexhepi.

Më pas, në Brodec, kandidati për Tetovën u mirëprit nga një numër i madh qytetarësh të mobilizuar dhe të motivuar për fitoren në zgjedhjet e 19 tetorit. Ai theksoi rëndësinë e bashkimit, angazhimit qytetar dhe përfaqësimit dinjitoz të çdo lagjeje dhe fshati të komunës.

“Brodeci sot e dëshmoi qartë, Tetova është gati për ndryshim dhe këtë do ta arrijmë bashkë, me punë dhe përkushtim,” tha ai.

Me një fushatë që po forcohet dita-ditës, Bajram Rexhepi po e konsolidon gjithnjë e më shumë mbështetjen në terren, duke e shndërruar moton #BashkëPërTetovën në një lëvizje të vërtetë qytetare./TS