Bilall Kasami dënon thirrjet e “Ballistëve” në Tetovë për ndeshjen Shqipëri – Sërbi (VIDEO)

Pas fitores së Kombëtares shqiptare ndaj Serbisë, tifozë shqiptarë anembanë trojeve festuan me entuziazëm këtë sukses të rëndësishëm sportiv. Edhe në Tetovë, tifozët e grupit “Ballistët” organizuan një festë madhështore me fishekzjarre dhe emocione të shumta. Festa e tyre u cilësua si një nga më të veçantat dhe më të fuqishmet ndër të gjitha festimet për fitoren e Kombëtares.

Por, sot ryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është distancuar nga këto thirrje të “Ballistëve”, duke i cilësuar të papërshtatshme dhe të dënueshme.

“Personalisht nuk kam qenë pjesë e atyre manifestimeve për shkak të dinamikës së fushatës, por çdo thirrje kundër kujtdo qoftë është për t’u dënuar dhe është sjellje e papërshtatshme, dhe për mua nuk është e pranueshme,” deklaroi për TS, Bilall Kasami.

Ai shtoi se, pavarësisht mbështetjes për Kombëtaren dhe gëzimit të fitores, është e rëndësishme që manifestimet publike të zhvillohen në frymën e respektit dhe maturisë.

Deklarata e Kasamit vjen në një kohë kur tema e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore është veçanërisht e ndjeshme, dhe kërkohen reagime të kujdesshme nga përfaqësuesit institucionalë./TS