Planifikuan sulm me dron ndaj kryeministrit belg, arrestohen tre të rinj

Policia belge ka arrestuar tre persona që dyshohet se po planifikonin një sulm terrorist me dron ndaj kryeministrit të vendit, Bart De Wever, dhe politikanëve të tjerë.

Sipas autoriteteve belge, personat e ndaluar kishin planifikuar të përdornin një dron të pajisur me eksplozivë për të kryer atentatin. Hetimet tregojnë se të dyshuarit kishin qëllime të frymëzuara nga ideologjia xhihadiste, shkruan Aljazeera.

Sipas prokurores federale Ann Fransen, policia ka zbuluar material të dyshimtë në një ndërtesë në Antwerp, vetëm disa qindra metra larg banesës së kryeministrit. Brenda saj janë gjetur: Një mjet shpërthyes i improvizuar (në ndërtim), një çantë me toptha metalikë, si dhe një printer 3D që mendohet se përdorej për ndërtimin e pjesëve të dronit.

Hetuesit besojnë se grupi po përgatiste një dron me ngarkesë shpërthyese, i cili mund të përdorej për një atentat.

Lajmi ka shkaktuar shqetësim në opinionin publik dhe në radhët e qeverisë.

Zëvendëskryeministri Maxime Prevot reagoi në rrjetet sociale duke shkruar:

“Lajmi për një sulm të planifikuar ndaj kryeministrit është tronditës. Mbështetja ime e plotë për të dhe familjen e tij. Falënderime për shërbimet e sigurisë që ndërhynë në kohë”.

Sipas prokurores Fransen, të dyshuarit janë të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007. Njëri prej tyre është liruar pas marrjes në pyetje, ndërsa dy të tjerët do të dalin para gjykatës të premten.