Ursula von der Leyen të mërkurën vjen në Shkup

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas mbijetesës politike ndaj dy mocioneve të votëbesimit në Parlamentin Evropian, do të nisë një turne disaditor në Ballkanin Perëndimor, me qëllim të riafirmimit të angazhimit të BE-së për rajonin dhe përshpejtimit të proceseve integruese.

Vizitat do të nisin më 13 tetor, në Tiranë, ndërsa më 15 tetor ajo pritet të qëndrojë në Prishtinë dhe Shkup, ku do të zhvillojë takime me drejtuesit më të lartë shtetërorë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinjo, e cila paralajmëroi se detajet e agjendës do të bëhen të ditura gjatë ditëve në vijim.

Kjo vizitë vjen në një moment të ndjeshëm për Maqedoninë e Veriut, e cila vazhdon të mbetet e bllokuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian për shkak të kontestit të pazgjidhur me Bullgarinë fqinje. BE-ja ka kërkuar që vendi të miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve dhe komuniteteve të tjera në Kushtetutë – një hap i domosdoshëm për vazhdimin e procesit negociues.