Mbi 700 gra në tubimin madhështor të AKI në Tetovë: Të bashkuara për fitoren e Bajram Rexhepi më 19 tetori

Mbi 700 gra u bashkuan mbrëmjen e sotme në një takim madhështor të organizuar nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë, duke dhënë një mesazh të fuqishëm uniteti, vendosmërie dhe përkushtimi për zgjedhjet e 19 tetorit.

Në këtë event të veçantë, që u mbajt në muajin e ndërgjegjësimit për shëndetin e grave – Tetorin Rozë – gra të të gjitha moshave, profesioneve dhe lagjeve të Tetovës u bashkuan rreth vizionit të përbashkët për ndryshim dhe përkrahje të kandidatit të AKI-së, Bajram Rexhepi.

“Një det energjie, dinjiteti dhe vendosmërie u ndje sonte në Tetovë. Gratë treguan se janë jo vetëm shtylla e familjes, por edhe e ndryshimit politik dhe shoqëror,” – u tha gjatë tubimit.

Pjesëmarrja masive në këtë takim është cilësuar nga organizatorët si sinjal i qartë se qytetarët – e veçanërisht gratë – janë të gatshme për të marrë në dorë të ardhmen e qytetit të tyre, përmes votës së lirë dhe angazhimit të drejtpërdrejtë në procesin politik.

Kandidati për kryetar të Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim, Bajram Rexhepi, falënderoi përzemërsisht pjesëmarrëset dhe u shpreh se kontributi i grave është dhe do të jetë themel i platformës së tij politike dhe qeverisëse.