Bastisje në shtëpitë e pleqve në Shkup nën dyshime për trajtim çnjerëzor, dy persona janë privuar nga liria
Pas marrjes së informacioneve për trajtim të mundshëm çnjerëzor të personave të moshuar – shfrytëzues të shërbimeve për mbrojtje jashtë familjare. Prokuroria Themelore Publike Shkup informoi se në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Njësinë për krime ekonomike dhe kompjuterike po ndërmerr veprime për zbardhjen e rastit.
“Pas mbledhjes së informacioneve të mjaftueshme të cilat konfirmojnë bazat e dyshimit, dje u kryen bastisje në katër lokacione që lidhen me dy institucione private për mbrojtje sociale të të moshuarve. Sot po kryhen bastisje në dy lokacione të tjera që lidhen me to. Deri më tani, dy persona janë privuar nga liria”, informojnë nga Prokuroria.
Në vendngjarje, përveç përfaqësuesve nga MPB-ja dhe Prokuroria, siç informojnë, janë të pranishëm edhe inspektorë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, Inspektorati Shtetëror i Punës, si dhe inspektorë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Në aksion janë përfshirë edhe përfaqësues nga Qendrat e Shëndetit Publik, mjekë nga Shërbimi i Urgjencës Mjekësore dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Kriminalistikës.
Institucionet vazhdojnë me aktivitetet për të përcaktuar të gjitha faktet ligjore relevante dhe përgjegjësinë e mundshme në këtë rast, thuhet në kumtesën nga Prokuroria.