​Çka duhet të dini për bisedimet Izrael-Hamas në Egjipt?

Ndërsa Izraeli shënon dy vjet nga sulmet vdekjeprurëse të Hamasit më 7 tetor, në Egjipt po zhvillohen bisedime indirekte mes delegacioneve të Hamasit dhe Izraelit, me qëllim për t’i dhënë fund luftës në Gaza, shkruan BBC.

Ja çfarë duhet të dini:

Kur kanë filluar bisedimet?
Ekipet negociatore të Izraelit dhe Hamasit kanë mbërritur në Sharm El-Sheikh të hënën, dhe bisedimet kanë nisur pak më vonë.

Si po zhvillohen?
Delegacionet nuk po takohen ballë për ballë – në vend të kësaj, ndërmjetës nga Katari, Egjipti dhe SHBA po zhvillojnë bisedime të ndara me secilën palë, duke kaluar mes tyre. Qëllimi është të arrihet një marrëveshje për zbatimin e fazës së parë të planit me 20 pika të presidentit amerikan, Donald Trumpit për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza.

Çfarë po diskutohet?
Sipas zyrtarëve palestinezë dhe egjiptianë që folën për BBC-në dje, bisedimet po përqendrohen në “krijimin e kushteve në terren” për lirimin e 48 pengjeve izraelite që mbeten – 20 prej të cilëve besohet se janë gjallë – në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të ndaluar.

Çfarë ka thënë secila palë?
Izraeli ka pranuar propozimin e Trumpit, ndërsa Hamasi ka pranuar disa, por jo të gjitha kushtet.

A ka pengesa?
Kjo është hera më e afërt që të dyja palët kanë qenë me një marrëveshje që nga fillimi i luftës para dy vjetësh, por ende ka mosmarrëveshje të mëdha për t’u zgjidhur – përfshirë strukturën e lirimit të pengjeve, kërkesën e Izraelit që Hamasi të çarmatoset, të ardhmen e qeverisjes në Gazë dhe tërheqjen e Izraelit nga territori.