Ibrahimi: Kafe e çastit në Dibër dhe vizion për zhvillim të qëndrueshëm

Kryetari i Alternativës dhe njëherësh njëri nga krerët e koalicionit VLEN, Zeqirija Ibrahimi, zhvilloi sot një takim të ngrohtë me qytetarët e Dibrës gjatë fushatës së tij në qytet. Ai u shoqërua nga ministri Orhan Murtezani, deputeti Bekim Sali, si dhe kryetari i ardhshëm i Dibrës, Fisnik Mela.

Në një ndalesë të veçantë, Ibrahimi dhe delegacioni i tij u takuan edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski, duke ndarë një kafe çasti në mes të qytetarëve. Gjatë këtij takimi, u diskutuan temat e përditshme të jetës në Dibër, mundësitë për projekte të reja investimesh, si dhe iniciativa për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.

Një nga pikat kyçe të vizitës ishte edhe rikonfirmimi i gatishmërisë për modernizimin e pikës kufitare në Bllatë, e cila pritet të shndërrohet në një One Stop Shop, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Në përfundim të aktivitetit, Ibrahimi theksoi se pas 19 tetorit, Dibra do të “shtohet në shije dhe hijeshi”, duke i dhënë një mesazh optimizmi dhe përkushtimi për zhvillimin lokal.