Nisin bisedimet në Egjipt mes Izraelit dhe Hamasit për planin e paqes në Gaza

Bisedimet indirekte midis negociatorëve izraelitë dhe palestinezë kanë filluar mbrëmjen e kësaj të hëne, 6 tetor, në Egjipt, për të finalizuar një marrëveshje bazuar në planin për armëpushim në Gazë të presidentit amerikan Donald Trump.

Bisedimet pritet të zgjasin “disa ditë”, në prani të ndërmjetësve nga SHBA-të, Katari, Egjipti dhe Turqia. Të paktën kështu tha për CNN një zyrtar me njohuri për çështjen.

Hamasi ka deklaruar se e pranon pjesërisht planin e paqes, por nuk ka dhënë përgjigje për disa kërkesa kyçe, përfshirë çarmatimin dhe rolin e tij të ardhshëm në Gaza.

Kryeministri i Izraelit deklaroi të shtunën se shpreson të shpallë lirimin e pengjeve “në ditët në vijim”.

Bisedimet, në të cilat zyrtarët egjiptianë dhe ata të Katarit do të zhvillojnë takime të ndara me delegacionet e Izraelit dhe Hamasit, zhvillohen në prag të përvjetorit të dytë të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, ku rreth 1 mijë e 200 persona u vranë dhe 251 të tjerë u morën peng.

Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza si përgjigje. Që atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së kontrolluar nga Hamasi në Gaza, 67 mijë e 160 persona janë vrarë nga operacionet ushtarake izraelite.

Këto diskutime priten të jenë ndër më të rëndësishmet që nga fillimi i luftës dhe mund të përcaktojnë nëse një rrugë drejt paqes është më në fund e mundshme.

Në takim marrin pjesë përfaqësuesi special amerikan Steve Witkoff, dhëndri i Trump-it Jared Kushner dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani.

Donald Trump, në një postim në rrjetet sociale, u ka bërë thirrje të gjithë palëve që “të veprojnë shpejt”, duke shtuar se i është thënë që faza e parë e planit të paqes, që përfshin lirimin e pengjeve, “duhet të përfundojë këtë javë”.

Plani me 20 pika, i rënë dakord mes presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, propozon ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin e 48 pengjeve, prej të cilëve mendohet se vetëm 20 janë ende gjallë, në këmbim të qindra palestinezëve të ndaluar në burgje.

Sipas planit, menjëherë pas arritjes së marrëveshjes, ndihma e plotë humanitare do të dërgohet në Rripin e Gazës.

Plani gjithashtu parashikon që Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e Gazës, ndërsa lë të hapur mundësinë për krijimin e një shteti palestinez në të ardhmen.

Megjithatë, pas publikimit të planit javën e kaluar, Netanyahu përsëriti kundërshtimin e tij ndaj një shteti palestinez, duke thënë në një video: “Nuk është e shkruar në marrëveshje. Ne kemi thënë se do ta kundërshtojmë fuqishëm një shtet palestinez.”

Të premten, Hamasi reagoi me një deklaratë ku tha se pranon të lirojë të gjithë të burgosurit izraelitë, të gjallë dhe të vdekur, sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump, nëse përmbushen kushtet për shkëmbim.

Hamasi nuk përmendi specifikisht planin me 20 pika, por deklaroi se “ripohon gatishmërinë për t’ia kaluar administrimin e Gazës një organi palestinez të pavarur (teknokrat), në bazë të konsensusit kombëtar palestinez dhe mbështetjes arabe e islame.”

Deklarata nuk përmendte kërkesën kyçe të planit që Hamasi të çarmatosej dhe të mos merrte më rol në qeverisjen e Gazës.

Sipas Hamasit, pjesët e planit që lidhen me të ardhmen e Gazës dhe të drejtat e popullit palestinez janë ende në diskutim “në një kornizë kombëtare”, ku edhe Hamasi do të jetë pjesë.

Shumë palestinezë e përshkruan përgjigjen e Hamasit si të papritur, pasi më parë kishte sinjale se grupi do ta refuzonte ose do ta pranonte me kushte të rënda propozimin amerikan.