Hisar Ali do ta udhëheqë sulmin e Maqedonisë U19 kundër Malit të Zi

Maqedonia e Veriut U19, nën udhëheqjen e ish-kapitenit legjendar të Shkëndijës së Tetovës, Erhan Selimi, do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me Malin e Zi U19 në Podgoricë me datë 09.10.2025 dhe 12.10.2025. Këto sfida përbëjnë një fazë të rëndësishme përgatitore në prag të kualifikimeve evropiane, të cilat do të mbahen në muajin nëntor në Portugali informon Tetovasot.

Në grupin e 11 kualifikues, Maqedonia e Veriut do të përballet me:

Belgjikën më 12 nëntor 2025,

Portugalinë më 15 nëntor 2025,

Estoninë më 18 nëntor 2025.

Për këto përgatitje, përzgjedhësi Erhan Selimi ka ftuar në kombëtare edhe sulmuesin e talentuar të FC Feronikeli 74, Hisar Ali.

Hisar Ali është produkt i akademisë së KF Shkëndija Ecolog Tetovë, ndërsa karrierën e tij e ka ndërtuar me hapa të sigurt në futbollin vendor. Ai ka luajtur edhe për KF Besa Dobërdoll, ku me vetëm 17 vjet arriti të shënojë dy gola në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut — një arritje që e dallon si një prej talenteve më premtues në futbollin shqiptar të vendit.

Tashmë, me fanellën kuqe-verdhë të Maqedonisë U19, Hisar Ali pritet të jetë një nga armët kryesore të sulmit në përballjet me Malin e Zi, duke konfirmuar edhe njëherë potencialin e tij të lartë në arenën ndërkombëtare.

Hisar Ali do ta udhëheqë sulmin e Maqedonisë U19 kundër Malit të Zi