Bajram Rexhepi: Nga zemra e Gajres ngrihet zëri për ndryshim, do ta kthejmë krenarinë e Tetovës! (VIDEO)

Fshati Gajre, vatër e lavdisë dhe simbol i rezistencës, u bë sot epiqendra e një mesazhi të fuqishëm politik: Tetova është gati për një kapitull të ri, të mbështetur mbi dinjitetin, dijen dhe përfshirjen qytetare.

Kandidati për kryetar të Komunës së Tetovës nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Bajram Rexhepi, vizitoi këtë fshat historik, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm në identitetin dhe zhvillimin kulturor e shoqëror të qytetit.

“Në Gajren e lavdisë, vatrën e rezistencës dhe djepin e intelektualëve tetovarë! Kjo lagje ka qenë gjithmonë portë e madhe e Tetovës, shtyllë e krenarisë sonë dhe zemra që ka rrahur për liri, dinjitet dhe dije,” u shpreh Rexhepi.

Ai theksoi se Gajrja nuk ka qenë vetëm një vendbanim, por një simbol i gjallë i qëndresës, emancipimit dhe dijes, ku janë formuar breza të tërë intelektualësh e figurash që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare të Tetovës.

“Tetova do të ngrihet mbi vlerat që Gajreja i ka ruajtur me fanatizëm”

Bajram Rexhepi premtoi se me përkrahjen e qytetarëve, komuna do të qeveriset ndershëm, me prioritet zhvillimin e arsimit, kulturës, infrastrukturës dhe përfshirjen aktive të çdo lagjeje dhe fshati të Tetovës./TS